Italia lehtëson procedurat për transportuesit shqiptarë
Qeveria italiane ka ndërmarrë një nismë për të lehtësuar procedurat për transportuesit shqiptarë, e cila konsiston në shfuqizimin e një vendimi. Bëhet fjalë pikërisht për një akt minisrial, i cili detyronte transportuesit shqiptarë që t'i përmbaheshin me përpikëri dokumentit që përcaktonte itinerarin e tyre në territorin italian. Lajmin e bëri të ditur Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, e cila përmes një deklarate për shtyp theksoi se shfuqizimi i këtij akti krijon lehtësira për transportuesit shqiptarë. Këtu ministria i referohet faktit që kamionistët me këtë akt në fuqi e kishin të ndaluar të merrnin ngarkesa jashtë vendeve të destinacionit, çka shpesh shkaktonte kthimin bosh të tyre, ose me ngarkesë jo të plotë. "Heqja e këtij dokumenti është e njëjtë me heqjen e barrierave jofizike të palës italiane në drejtim të kamionistëve shqiptarë, duke ua bërë udhëtimin më fleksibël, ul në mënyrë të ndjeshme numrin e kontrolleve ndaj tyre nga policia italiane dhe koston e transportit. Këto elementë përbëjnë një hap të rëndësishëm në lehtësimin e kalimeve të kufirit për kamionistët shqiptarë", theksoi dje zëdhënësja e Ministrisë së Punëve Publike dhe Transporteve, Arminda Qylafku. Shfuqizimi këtij akti në fakt vjen edhe në kuadër të këmbënguljes së Shoqatës se Transportuesve Ndërkombëtar të Mallrave, "ANALTIR". Lehtësimi i procedurave që komplikojnë transportin është shoqëruar shpesh me reagimin se kjo do të rrisë edhe marrëdhëniet tregtare mes vendeve.