Vasili: Problemi i përdorimit të drogave kërkon bashkëpunim
Mendo për shëndetin jo për drogën" ka qenë kryefjala e Konferencës së organizuar dje nga Zyra Kundër Drogave dhe Krimit e Kombeve të Bashkuara. Ky aktivitet që vinte në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Abuzimit me Drogën ka ulur në një panel ministra, mjekë, specialistë për të diskutuar rreth mënyrave të minimizimit të fenomenit. Ky i fundit ka marrë një përhapje gjithmonë në rritje viteve të fundit, duke u kthyer në një shqetësim kryesor. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, gjatë fjalës së tij theksoi se formula për të përballuar problemet që lidhen me përdorimin e drogës është bashkëpunimi i gjithë aktorëve. "Përballimi i problemit të përdorimit të drogave në Shqipëri tashmë është i konceptuar qartë dhe zbatohet në praktikë, ndërkohë që mjaft e rëndësishme për përballimin e tij në të ardhmen është vijimësia e bashkëpunimit me të gjithë aktorët. Ne jemi këtu për të demonstruar seriozitetin e një problemi, që është jo thjesht medikal, social, por edhe prioritet madhor dhe familjar, aty ku ky problem ekziston", theksoi ministri Vasili. Ai pranoi se ekzistenca e këtij fenomeni në vendin tonë nxit orientimin e punës në organizimin e strukturave përkatëse. Në këtë kuadër ai përmendi krijimin e shërbimeve të këshillimit, lidhur me problemet e drogës dhe dhënien e metadonit në disa qytete të vendit si, Elbasan, Tiranë, Durrës, Vlorë e Korçë. "Politika për ta shtrirë këtë shërbim në të gjithë territorin është një përballje e sistemit shëndetësor me problemet medikale, por edhe me ndërthurjen sociale në të, për ta përballuar në mënyrë profesionale këtë problem në përgjithësi",