Ndërtimorët prishin 22 objekte buzë autostradës
MILOT - Objektet e ngritura buzë autostradës së re, pa respektuar distancën dhe pa leje, janë bërë dje objekt i aksionit të Inspektoratit Ndërtimor. Nga Miloti e deri në Thirrë u prishën dje 22 ndërtime, mes tyre dhe 2 pika karburanti. Vetë drejtori Gjergj Bojaxhi udhëhoqi aksionin, i cili u mbështet dhe nga Policia e Lezhës dhe Forcat Speciale. Mësohet se pronarët e ndërtimeve ishin lajmëruar 5 ditë më parë dhe dita e djeshme ka kaluar pa incidente. Aksioni për prishjen e këtyre ndërtimeve pa leje ka nisur në Milot të rrethit të Kurbinit e më pas ka vazhduar në Mirditë, në të dy krahët e autostradës. Shumica e këtyre ndërtimeve kanë qenë kioska, por ka pasur edhe ndërtime që kishin edhe vlera kolosale, siç ka qenë rasti në afërsi të tunelit të Thirrës, ku ishin në përfundim të vënies në punë të dy pikave të karburantit. Sipas Ndërtimorëve, objektet duhet të ishin ndërtuar jo më afër se 25 metra nga distanca me autostradën. Në fund të aksionit të prishjes së këtyre 22 objekteve, Gjergj Bojaxhi falënderoi banorët për mirëkuptimin në zbatimin e ligjit. Ai theksoi faktin se aksionet do të vazhdojnë për të prishur çdo ndërtim pa leje, në afërsi të autostradës, pasi u shërben mbrojtjes së jetëve të qytetarëve, por edhe zbatimit të vendimeve të Qeverisë. r.n