Ambasadori i ri i SHBA-ve, Arvizu: “Do të eci në gjurmët e Uidhersit”
Eljona Ballhysa
Ka mbërritur dje në mesditë në Tiranë ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu. Në prononcimin e tij të parë për mediat shqiptare, ambasadori amerikan tha se ndihet i lumtur që ndodhet në Shqipëri dhe theksoi se do të ndjekë gjurmët e paraardhësve të tij dhe veçanërisht të ambasadorit Xhon Uidhers. Arvizu pohoi se kjo ishte hera e parë që vizitonte Shqipërinë, kishte shumë për të mësuar për vendin tonë dhe për rajonin në përgjithësi. Por ai gjithashtu pohoi se ka shumë punë për të bërë në vendin tonë, ndërsa nxiti proceset integruese të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Arvizu vjen në postin e ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë pas përfundimit të misionit diplomatik të ish-ambasadorit Uidhers. Ky i fundit luajti një rol të rëndësishëm në politikën e ditës në Shqipëri duke u bërë faktor kryesor në nxitjen e dialogut politik mes opozitës dhe maxhorancës. Madje, për rolin e tij të drejtpërdrejtë, Uidhers u kritikua nga përfaqësues të politikës. Por duket se edhe ambasadori i ri i SHBA-ve, Arvizu, ashtu si edhe ai vetë ka deklaruar për mediat, do të mbajë të njëjtin qëndrim si Uidhersi.
Deklarata
“S’mund t’ju them sa i lumtur jam që ndodhem këtu sot. Kjo është vizita ime e parë në vendin tuaj të bukur dhe pyes veten pse kam pritur kaq gjatë? Jam thellësisht i nderuar që jam ambasadori i ri i SHBA këtu në Shqipëri. Jam shumë mirënjohës që presidenti Obama dhe sekretarja Klinton më zgjodhën mua për këtë nder të madh. Jam shumë i ndërgjegjshëm për faktin se shkel në gjurmët e disa paraardhësve të jashtëzakonshëm që kanë qenë këtu 20 vitet e fundit që nga rivendosja e marrëdhënieve. Flas sigurisht për paraardhësin tim të nderuar, Xhon Uidhers, por jo vetëm për të, edhe shumë të tjerë para tij. Shpresoj vetëm që të mund të vazhdoj në gjurmët e trashëgimisë që ata kanë lënë”, - është shprehur ambasadori Arvizu.
Ai pohoi se është i porsaardhur në rajonin e Ballkanit dhe se ka shumë për të mësuar. “Kam shumë për të mësuar, por jam shumë, shumë i emocionuar për këtë mundësi. Duket se çdo muaj që kalon, Shqipëria vazhdon marshimin e pandalshëm drejt integrimit më të ngushtë me bashkësinë euroatlantike. Mendoj se ky është një zhvillim shumë pozitiv. Por, duhet t’ju them se më duket veçanërisht prekës, si ambasador amerikan, fakti që, të gjithë ata me të cilët kam folur, kanë thënë se populli shqiptar ka një lidhje të veçantë me Shtetet e Bashkuara dhe popullin amerikan. Dhe, për një ambasador amerikan që sapo mbërrin, nuk mund të ketë ndjenjë më të bukur se kjo. Di se ka shumë punë për të bërë. Jam i ndërgjegjshëm se jo gjithçka ka për të qenë e lehtë, por më shumë se çdo gjë pres me padurim të takoj popullin e mrekullueshëm shqiptar. Do të ketë shumë punë për të bërë këtu në kryeqytet dhe pashmangshmërisht ambasadorëve u duhet të kalojnë shumë kohë në kryeqytet”, - është shprehur ambasadori Arvizu. Ai gjithashtu ka shprehur dëshirën e tij për të vizituar sa më shumë qytete shqiptare. “Jam i sigurt që ka shumë vende të mrekullueshme këtu. Më shumë se çdo gjë tjetër, pres të udhëtoj në këtë vend të bukur, në vende si Gjirokastra, Shkodra, liqeni i Ohrit, Saranda, Vlora. Jam i sigurt se nuk kam përmendur shumë vende dhe kam shqiptuar gabim disa prej tyre, por kam ndërmend t’i vizitoj edhe ato”, - ka përfunduar prononcimin e tij për mediat ambasadori i ri i SHBA-ve në Tiranë.
Biografia
Aleksandër A. Arvizu është një anëtar karriere i Shërbimit Diplomatik që radhitet në radhët e këshilltarëve të ministrave. Ai është emëruar si ambasador i SHBA-ve në Shqipëri më 10 nëntor të vitit 2010. Ai i është bashkuar Shërbimit Diplomatik në vitin 1981 dhe ka shërbyer në shumë vende, duke përfaqësuar SHBA-të, veçanërisht në Azinë Lindore dhe Paqësor. Ai ka qenë zëvendëssekretar përgjegjës për sigurinë në Japoni dhe Kore që nga viti 2007 deri më 2009-n. Së fundi ai ka qenë drejtor i Byrosë për Burimet Njerëzore. Më herët, ambasadori Arvizu ka shërbyer me misione në Bangkok dhe Tailandë në vitet 2004-2007 dhe në Fnom Pen e Kamboxhia në vitet 2000-2003. Në Uashington ai ka mbajtur postin e drejtorit për Çështjet Aziatike në Këshillin Kombëtar të Sigurisë gjatë administratës së dytë të Bill Klintonit. Ambasadori Arvizu ka lindur në një bazë amerikane në Japoni dhe është brezi i parë amerikan. E ëma e tij ishte nga Japonia dhe babai me kombësi meksikane. Familja më pas u shpërngul në Kolorado Springs, ku Arvizu është rritur. Ai është diplomuar në Universitetin e Xhorxhtaunit në vitin 1980. Ambasadori Arvizu ka studiuar disa gjuhë të huaja aziatike, duke përfshirë japonishten, koreanishten, gjuhën Thai dhe Khmer. Ai është i martuar dhe ka një vajzë të vogël.
13 ambasadorët amerikanë që kanë shërbyer në Shqipëri
Aleksandër Arvizu është ambasadori i 13-të i SHBA-ve në Shqipëri. Ambasadori i parë amerikan në vendin tonë ka qenë Ulises Grant-Smith, që ka shërbyer shumë herët, pikërisht në vitin 1922. Më pas vjen ambasadori Çals C. Hart, në vitin 1928. Ambasadori i tretë i SHBA-ve në Shqipëri ka qenë Herman Bernstein, i cili qëndroi për tre vjet deri në vitin 1933, i cili u pasua nga Post Uiller, që qëndroi vetëm për një vit në vendin tonë. Ambasadori i fundit në periudhën mes dy luftërave ka qenë Hjug G. Grant, që e la misionin në vitin 1939. Nga ky moment e më pas marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë të ndërprera për shkak të instalimit të komunizmit në Shqipëri, për të rinisur në vitin 1991, me ndryshimet politike ku ambasadori i parë pas 50 vitesh u caktua Uilliam E. Rajerson. Në vitet 1994-1996 diplomati i SHBA-ve në vendin tonë ka qenë Josef E. Leike. Më pas ka qenë Mariza R. Lino, e cila qëndroi tre vjet. Në vitet 1999-2002 ka qenë ambasador Zhozef Limpreht, i cili vdiq për arsye kardiake në vendin tonë. Zhozef Limpreht u pasua nga diplomati Xhejms F. Xhefri, të cilit iu besua më pas misioni i diplomatit amerikan në Irak, duke i lënë vendin në Shqipëri ambasadores Marsi B. Ris, e cila në vitin 2007 i la vendin Xhon Uidhersit.
3 Dhjetor 2010