PS-ja depoziton në Kuvend ofertën, heq pjesën për hetimin e fletëve të votimit
Partia Socialiste ka depozituar dje në Kuvendin e Shqipërisë ofertën e fundit për hetimin e materialeve zgjedhore, duke hequr dorë përfundimisht nga kërkesa për hetimin e fletëve të votimit. Lajmi është bërë i ditur dje nga deputeti socialist Andis Harasani. Ai tha se kjo nismë e PS-së është një tjetër lëshim dhe një tjetër provë që tregon se opozita është e gatshme të bashkëpunojë me maxhorancën. Drafti i ri i Partisë Socialiste është po i njëjti me atë që kryetari i PS-së, Edi Rama, i dorëzoi kryeministrit Berisha pak kohë më parë në Kuvend. Në këtë draft është hequr vetëm paragrafi që parashikon hetim të pakufizuar të zgjedhjeve, duke e kufizuar hetimin vetëm te kutitë e materialeve zgjedhore, duke hequr dorë përfundimisht nga kërkesa për hetimin dhe rinumërimin e fletëve të votimit.
Objekti i hetimit
Në projektin e PS-së parashikohet që Komisioni Hetimor të hetojë akuzat dhe dyshimet publike të bazuara, të ngritura nga partitë politike, si dhe nga vëzhguesit vendas dhe ndërkombëtarë për zbatimin e legjislacionit në fuqi. PS-ja kërkon gjithashtu hetimin e mënyrës së zbatimit të ligjit nga komisionet e qendrave të votimit, identifikimin e shtetasve në momentin e votimit, pasqyrimin e të dhënave përkatëse të dokumentit të identifikimit në rubrikën përkatëse të listave të votimit, hetimin e mundësisë së votimit më shumë se një herë nga shtetas të ndryshëm, si dhe hetimin e rasteve të votimit familjar. Socialistët kërkojnë hetimin e pasqyrimit të të dhënave përkatëse në procesverbalin e mbylljes së votimit dhe në librin e protokollit të mbledhjeve të KQV-ve. Partia socialiste kërkon gjithashtu nëpërmjet projektit të saj verifikimin e zbatimit të ligjit në lidhje me hartimin dhe publikimin e listës së zgjedhësve, ekzistencën e dublimeve në to apo të lënies jashtë tyre të një numri zgjedhësish, dërgimin e listave në qendrat e votimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe përputhshmërinë e tyre me sistemin elektronik të regjistrit kombëtar të Gjendjes Civile. Opozita e Bashkuara synon të zbardhë shkeljet e kritereve ligjore në procedurat e ndjekura në gjenerimin e të dhënave për efekt të ndarjes së mandateve për çdo zonë zgjedhore dhe zbatimin e legjislacionit lidhur me mënyrën e kritereve të zbatuara në caktimin e qendrave të votimit në ambientet private. Socialistët gjithashtu dëshirojnë të njihen me mënyrën e zbatimit të kritereve ligjore lidhur me procedurat e aplikimit të prodhimit dhe shpërndarjes së letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike për periudhën prej fillimit të aplikimit deri më 28 qershor 2009. Në objektin e hetimit të komisionit parashikohet hetimi i veprimtarisë së administratës së KQZ-së lidhur me prokurimin, funksionimin, përdorimin dhe efektivitetin e teknologjisë mbështetëse të monitorimit në vendet e numërimit të votave. Drafti parashikon gjithashtu hetimin e përdorimit të mjeteve publike si dhe të administratës publike të çdo niveli, në favor të subjekteve të caktuara zgjedhore, për presione të ushtruara për largim nga puna. Në përfundim të draftit socialistët kanë propozuar që komisioni të përbëhet nga 15 anëtarë, ndërsa kryetari t’i përkasë Partisë Socialiste.
BOX
Objekti
Zbatimi i ligjit nga komisionet e qendrave të votimit
Identifikimi i shtetasve në momentin e votimit
Hetimi i mundësisë së votimit më shumë se një herë
Hetim i pasqyrimit të të dhënave përkatëse në procesverbal
Verifikimin e zbatimit të ligjit për publikimin e listës së zgjedhësve
Zbardhjen e procedurave të ndjekura për ndarjen e mandateve
Shpërndarja e letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike
Hetim i veprimtarisë së administratës së KQZ-së
Samiti i OSBE-së
Haxhinasto zhvillon takime me homologë të tij, lobon për Kosovën
Gjatë qëndrimit të tij në Kazakistan, ku merr pjesë në Samitin e krerëve të shteteve dhe të qeverive të OSBE-së, ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, ka zhvilluar një sërë takimesh me homologë të tij të vendeve të ndryshme. Gjatë ditës së djeshme Haxhinasto është takuar me sekretaren e Shtetit për Punët e Jashtme të Mbretërisë së Marokut, Latifa Akharbach. Biseda u ndal te avancimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe me anë të shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë dhe institucionalizimit të kontakteve mes Ministrive të Punëve të Jashtme. Aspekt i veçantë i bashkëpunimit dypalësh u identifikua krijimi i hapësirave të nevojshme për intensifikimin e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare, si dhe ngritjen e komisionit të përbashkët ekonomik. Duke u ndalur te pavarësia e Kosovës, ministri Haxhinasto evidentoi rëndësinë që kjo çështje të trajtohet në përputhje me opinionin këshillimor të GJND-së dhe Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që e mirëpriti këtë opinion. Ai theksoi se pavarësia e Kosovës është një process i pakthyeshëm, ngushtësisht i lidhur me stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Haxhinasto gjithashtu zhvilloi një takim me ministrin e Shtetit për Punët e Jashtme të Kanadasë, Peter Kent. Takimi u përqendrua te zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe dhe rritja e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë. Në këtë kuadër, ministri Haxhinasto ftoi rritjen e investimeve kanadeze në Shqipëri dhe shprehu angazhimin për përfundimin e kuadrit ligjor në fushën e mbrojtjes dhe nxitjes së investimeve dhe shkëmbimeve tregtare.
Ministri Haxhinasto u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Koresë së Jugut, Kim Sung-Hwan. Haxhinasto propozoi fillimin e konsultimeve diplomatike mes dy vendeve dhe ftoi homologun e tij Sung-Hëan për të vizituar Shqipërinë, ftesë që u pranua me kënaqësi nga Ministri Korean. Të dy palët ranë dakord që gjatë vitit 2011, në kuadër të 20-vjetorit të vendosje së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve të zhvillojnë aktivitetet të përbashkëta.
3 Dhjetor 2010