E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ambasadori italian në Shqipëri, vizitë në Berat dhe Gjirokastër



Ambasadori Italian në vendin tonë, Saba D’Elia, vizitoi dje qytetet muze të Shqipërisë. Gjirokastra dhe Berati janë vendosur në fokus të Ambasadës Italiane gjatë turit të vizitave nga D’Elia. Vizita në Berat, përveç njohjes nga afër me vlerat kulturore dhe muzeale të këtij qyteti, ka pasur si qëllim edhe mbështetjen italiane në të ardhmen. Kryetari i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, pasi e njohu ambasadorin me qytetin, bëri të ditur faktin se “biznesi beratas gëzon një raport të ndërsjellë me shumë biznese italiane”. Më pas ai i kërkoi ambasadorit lehtësim në procesin e vizave për kategori të veçanta, duke përfshirë këtu edhe drejtuesit e bizneseve. Vetë ambasadori D’Elia është shprehur se “Ambasada synon bashkëpunim sa më të frytshëm me këtë qytet”. Ndërsa gjatë vizitës në qytetin e Gjirokastrës, i shoqëruar nga konsulli italian në Vlorë, Lorenzzo Tomassoni, ambasadori D’Elia i quajti të shkëlqyera marrëdhëniet e miqësisë dhe të bashkëpunimit me Bashkinë e Gjirokastrës dhe premtoi mbështetje nga pala italiane për të gjitha projektet e bashkisë. Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, pasi përmendi lidhjet historike midis Gjirokastrës dhe Italisë, foli për kontributin dhe ndihmën e disa bashkive në Itali për realizimin e hartës dixhitale të Gjirokastrës, planin rregullues, atë të rikuperimit të qendrës historike, studimin e fizibilitetit të aeroportit dhe projektin e parkut të Viroit. “Më pëlqen që jam këtu për të dëshmuar vullnetin e mirë italian dhe atë të Ambasadës Italiane për të parë dhe diskutuar me ju nëse është e mundur që të zhvillojmë raporte të mëtejshme bashkëpunimi”, - tha ambasadori D’Elia.

1 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›