Fermerët nisin marrjen e rimbursimit 6 për qind për produktet bujqësore
Fermerët shqiptarë për herë të parë këtë vit po marrin 6 për qind rimbursim për produktet e shitura tregtarëve dhe ndërmarrjeve agropërpunuese, kundrejt faturave tatimore dhe kodit përkatës. Ministria e Bujqësisë ka prodhuar dhe shpërndarë për çdo fermer “kartën e fermerit”, e cila i jep mundësinë secilit që të ketë numrin personal të kodit të tij, me të cilin hyn në marrëdhëniet e një shitblerjeje të formalizuar. Sipas MBUMK, procesi i pajisjes me kartelë po vazhdon në drejtoritë rajonale të bujqësisë dhe parashikohet të përfundojë më 30 maj të këtij viti në të gjithë vendi. Pra rimbursimi i TVSH-së do kryhet për të gjithë fermerët që blejnë me faturë tatimore dhe vlera e pagesës do të kryhet në momentin që fermeri pajiset me kartelë. Specialistë të financës shprehen se zbatimi i rimbursimit të TVSH-së për të gjitha shitblerjet e bëra në tregun e brendshëm të prodhimit bujqësor, pritet të ketë një efekt prej 50-60 milionë dollarë, Shifër kjo që do të shkojë përfitim në familjet fermere. Sipas tyre, këto politika janë provuar si eficente. Duke iu referuar statistikave në dy vitet e fundit ka një rritje të nivelit të tregtimit të prodhimit bujqësor vendase dhe një përmirësim të dukshëm të bilancit të eksporteve dhe importeve nga sektori bujqësor, duke kaluar nga raporti 1 me 9 në raportin 3 me 7, çka tregon se janë hedhur hapa të rëndësishëm përpara për të rritur shkallën e tregtimit të prodhimit bujqësor dhe për të rritur peshën e prodhimit bujqësor shqiptar në tregun e brendshëm. Bujqësia vlerësohet si një nga sektorët kryesorë të ekonomisë së vendit, që jep 23 për qind të prodhimit të përgjithshëm, ndaj politikat e qeverisë synojnë të mbështesin zhvillimin e tij. Ndërhyrja e shtetit, favorizon përmes kësaj skeme fermerët, për t’u bërë pjesë e tregut dhe u krijon mundësi për rimbursim të 6 për qind të TVSH-së.
Rimbursimi i TVSH-së pritet të rrisë interesin e çdo tregtari për të blerë produkte vendi. Gjithashtu fermerët do të rimbursohen me 6 për qind të vlerës për çdo blerje të imputeve bujqësore që përdorin si dhe për makineritë bujqësore. Sipas MBUMK, zbatimi i kësaj skeme parashikon ulje të importit të produkteve bujqësore si dhe do të rrisë konkurrencën, duke ulur edhe çmimet në tregjet bujqësore.
1 Maj 2008