E Diel, 1 Nëntor 2026

Bankat, 10 miliardë lekë fitime vetëm në vitin 2007



Sektori bankar në vendin tonë po njeh rritje të vazhdueshme në të ardhura, duke shpjeguar kështu arsyet e interesimit që bankat e mëdha perëndimore kanë për tregun tonë. Për vitin 2007, sistemi bankar në vend ka gjeneruar një rezultat neto prej më shumë se 10 miliardë lekë, ku të ardhurat kryesore janë siguruar nga interesat, të cilat rezultuan me 27,3 për qind rritje. Pak ditë më parë, Kuvendi miratoi raportin e Bankës së Shqipërisë për vitin 2007, nga ku u mësuan detaje rreth veprimtarisë së 17 bankave që operojnë aktualisht në treg, përfshi edhe subjektet e tjera financiare. Sipas BSH-së, viti 2007 ka sjellë zhvillime përgjithësisht pozitive dhe të qëndrueshme për tregun bankar në vend. Rezultati neto për këtë vit rezultoi me një rritje prej rreth 42 për qind në krahasim me vitin 2006. Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), të ardhurat nga ky aktivitet zënë rreth 1,1 për qind, nga 0,8 për qind që zinin në vitet 2005-2006. Bankat e sigurojnë fitimin e tyre jo vetëm nga interesat, por edhe nga aktivet e tjera, që për vitin 2007 rezultuan me një rritje prej 30 për qind. Lidhur me fitimin, nga diferenca mes interesave për kredi dhe atyre për depozita, që për bankat njihet shpenzim, rezulton një normë prej 4,35 për qind (marzhi neto nga interesat). Sipas BSH, kjo normë ka njohur rritje për vitin e kaluar me 0,1 për qind, duke e shpjeguar me ecurinë në rritje të aktiveve me rrezik të lartë, si dhe me ndryshimin e strukturave të depozitave në favor të atyre në valutë. Kjo për faktin se normat e interesit në valutë janë më të ulëta se në lekë. Për sa u përket aktiveve të sistemit bankar, kemi një rritje me rreth 119 miliardë lekë ose 19 për qind më e lartë se gjendja e tyre në fundin e vitit 2006. Ndërsa totali i aktiveve, pra e gjithë vlera pasurore që mbartin bankat në vend rezulton 742 miliardë lekë, ose 100 miliardë lekë më shumë se viti 2006. Megjithatë, duhet theksuar se për bankat në vend, jo çdo gjë ka shkuar më së miri. Të dhënat e fundit nga ky treg, të publikuara nga BSH-ja tregojnë se, rritja e shpejtë e kredisë për vitin e kaluar është shoqëruar me rritjen e pjesës së kredive me probleme (kredi të marra, por të pakthyera në kohë nga klienti). Kështu, është rritur me rreth 3,8 miliardë lekë shuma e kredisë me probleme në krahasim me 2006. Treguesi i tyre në raport me totalin e portofolit të kredive, përllogaritet 3,4 për qind nga 3,1 për qind, e regjistruar në vitin e kaluar. Në vendin tonë operojnë 17 banka të nivelit të dytë, ndërsa gjatë vitit tregut i janë shtuar dhe 59 degë të tjera të sistemit e 42 agjenci bankare.

1 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›