E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH, rritja e çmimit të energjisë rriti inflacionin këtë vit

Norma e përgjithshme e inflacionit u shtua me 0.7 pikë përqindje. Norma vjetore e inflacionit në muajin mars 2008 ishte 4.6%

Ervin Koçi

Rritja e tepruar e çmimit të energjisë elektrike gjatë muajit mars 2008 ka qenë arsyeja kryesore për rritjen e pakontrolluar të inflacionit gjatë muajve të fundit. Këtë përfundim e ka dhënë dje Banka e Shqipërisë në raportin pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës. Sipas BSH-së, “rritja e çmimit të energjisë elektrike në muajin mars ka ndikuar direkt në rritjen me rreth 0.7 pikë përqindjeje në normën e përgjithshme të inflacionit. Ndërkohë inflacioni vjetor gjatë tremujorit të parë të këtij viti ishte 3.7 për qind”. Po kështu sipas BSH-së, “kontributin kryesor në këtë normë e ka dhënë inflacioni vjetor i ushqimeve të përpunuara (rreth 3 pikë përqindjeje)”. BSH-ja bëri të ditur gjithashtu se, norma vjetore e inflacionit në muajin mars 2008 shënoi 4.6 për qind, duke tejkaluar me rreth 0.6 pikë përqindjeje kufirin e sipërm të intervalit 3+/-1 për qind të synuar nga BSH-ja. Sipas BSH-së, “gjatë tremujorit të parë të vitit 2008, presionet nga ambienti i jashtëm në ekonominë vendase janë përkthyer kryesisht në rritjen e vazhduar të çmimeve të mallrave ushqimorë, të çmimeve të lëndëve të para dhe të çmimeve të naftës”.

Rreziku i bankave

Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së miratoi dje edhe rregulloren “Për administrimin e rrezikut nga ekspozimet e mëdha të bankave”, hartuar në përputhje dhe në zbatim të dispozitave të ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” dhe sipas Standardeve e Direktivave Evropiane. Sipas BSH-së, rregullorja paraqet kriteret e autoritetit mbikëqyrës për llogaritjen, mbikëqyrjen dhe raportimin e ekspozimeve të mëdha të bankave, ndaj një personi/klienti ose grup personash/klientësh të lidhur ose në një marrëdhënie të veçantë me bankën, me qëllim administrimin e rrezikut që rrjedh nga ekspozimi i përqendruar ndaj tyre. Në rregullore parashihen ndryshime në normat mbikëqyrëse për ekspozimet e mëdha në përputhje me përcaktimet e ligjit “Për bankat” dhe vendosen disa kufizime për kredidhënien e bankës ndaj personave me një marrëdhënie të veçantë me të. Gjithashtu në këtë rregullore, bëhen përcaktime të kolateralit, që do të njihet si element zbritës në llogaritjen e këtij ekspozimi, si dhe përjashtohen apo përfshihen në shuma të reduktuara, disa marrëdhënie në aktiv dhe angazhime jashtë bilancit të bankës me persona/klientë ose grup personash/klientësh të lidhur, për qëllime të llogaritjes së ekspozimit të madh. Në rregullore përcaktohen gjithashtu kërkesa mbikëqyrëse e raportuese lidhur me monitorimin e vazhdueshëm të ekspozimeve të mëdha.

Norma e interesit

Këshilli Mbikëqyrës, në mbledhjen e djeshme, pasi vlerësoi zhvillimet e fundit në ekonominë vendase dhe të jashtme, vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 6.25 për qind. Banka Qendrore vëren se, rritja reale e ekonomisë gjatë vitit 2007 ka qenë rreth 6 për qind. Sektori i industrisë, i tregtisë, i transportit dhe i shërbimeve të tjera janë rritur me ritme të larta gjatë këtij viti, ndërkohë që sektori i ndërtimit dhe ai i komunikacionit, kanë regjistruar norma të ulëta rritjeje të shitjeve. Në kushtet e forcimit të presioneve inflacioniste si nga ana e ofertës, ashtu edhe nga ajo e kërkesës së brendshme, BSH-ja ka rritur 3 herë normën bazë të interesit gjatë vitit 2007, duke e çuar atë nga 5.5 për qind në 6.25 për qind. Sipas BSH-së, efektet e shtrëngimeve të kaluara të politikës monetare duket se po materializohen gradualisht në ngadalësimin e ritmit të rritjes së ofertës monetare dhe në frenimin e rritjes me ritme të larta të çmimeve të ndërtimit. Megjithatë, BSH-ë vlerëson se shtrëngimet e njëpasnjëshme të politikës monetare gjatë vitit të kaluar, nuk kanë dhënë ende ndikimin e tyre të plotë në ekonomi.

1 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›