“Ambasadori” kosovar mbërrin në Tiranë, pret akreditimin
TIRANE- Ambasadori” i Kosovës në Shqipëri, Gazmend Pula, prej ditës së djeshme ka mbërritur në Tiranë. “Kam një ndjenjë krenarie dhe përgjegjësi të veçantë. Është një ditë e madhe, ditë historike, pasi po realizohet ëndrra dhe sakrifica e gjatë e shqiptarëve”, - ka thënë Pula, pak para nisjes për të përditshmen kosovare “Express”. Fillimisht, diplomati Pula ka thënë se do shkëmbejë notën verbale me ministrin e Punëve të Jashtme, e më pas pret të takohet edhe me Presidentin shqiptar, Bamir Topi, nga i cili do të marrë akreditimin. Ai thotë se Tirana dhe Prishtina kanë objektiva të përbashkëta. “Jam i bindur se ky milenium që ka filluar do të sjellë dimensione të veçanta në integrimin e popullit shqiptar, që simbolizohet me strukturat euro-atlantike, si qëllim i shtetit të Shqipërisë dhe Kosovës”, - ka vlerësuar ai. Sipas tij, në aspektin politik dhe diplomatik, Kosova me Shqipërinë ka marrëdhënie të shkëlqyera. Në mision diplomatik në Shqipëri, ai premton se do t’i thellojë këto marrëdhënie, po ashtu edhe në aspektin ekonomik, kulturor, arsimor, etj. Diplomati Pula e përshkruan Tiranën si kryeqyteti që për botën shqiptare ka peshë unike dhe të jashtëzakonshme. “Do të jetë periudhë e zhvillimit të hovshëm për shqiptarët në përgjithësi, e në veçanti për Kosovën e Shqipërinë”, - ka thënë ai. Në kuadër të marrëdhënieve të afërta, Qeveria e Shqipërisë ka siguruar pa kompensim për Kosovën, një objekt për ambasadë. Objekti ku do të vendoset ambasada e Kosovës është ndërmjet ambasadës së Rusisë dhe Serbisë. Diplomati Pula thekson se kjo është një rastësi me simbolikë. “Është një simbolikë dhe dimension i veçantë. Brenda Shqipërisë, në të dy anët tona i kemi Rusinë dhe Serbinë, që do të jetë një indikacion për këto dy vende që kanë pasur qasje ofensive dhe agresive ndaj shqiptarëve, që të hiqen nga aspiratat historike”, - ka thënë ai. Për ambasadën e Kosovës në Tiranë, tashmë edhe stafi është në përgatitje e sipër, ndërsa shërbimet konsullore parashihet të fillojnë me një vonesë.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)