E Shtunë, 31 Tetor 2026

OJQ: Mungesat në raportin për BE

Nga Darina Tanushi
Kreu i Lëvizjes Evropiane kritikon qeverinë se fshehu Gërdecin në projektin drejt Brukselit: "Gërdeci nuk mund të barazohet me vizitën e Xhorxh Bushit”. 

TIRANE- Qeveria nuk është treguar transparente në progres-raportin që pritet të paraqesë para Bashkimit Evropian në Bruksel. Drejtori i Lëvizjes Evropiane Shqiptare, Ditmir Bushati ngiti dje shqetësimin se në materialin që ka marrë tashmë udhën për në Bruksel, ka shumë mungesa të realitetit shqiptar. “Është shumë e rëndësishme që progres- raportet të miratohen mbi baza mujore në Këshillin e Ministrave, t’i nënshtrohen një diskutimi, ku të ketë një përfshirje të drejtpërdrejtë të Kryeministrit, ku Kryeministri të vendosë masa e sanksione konkrete për ministra apo ministri, apo edhe institucione të tjera jashtë ekzekutivit”. Sipas tij, kjo metodë duhet ndjekur në mënyrë që të dalë niveli i përgjegjësisë dhe nga njëri progres-raport në tjetrin të shikohet se çfarë është bërë. Ai tha për “Gazeta Shqiptare”, se publiku shqiptar duhet të njihet nga qeveria e tij me këtë raport, të kuptojë se çfarë qëndrimesh ka kjo qeveri për situatën në vend dhe jo ta marrë vesh këtë nga raportet e Brukselit. “Është shumë e rëndësishme që ne të dimë se cili është qëndrimi i qeverisë, jo që të gjendemi përballë këtyre situatave, që ngjarja më e rëndë që ka ndodhur këtu, ngjarja e Gërdecit nuk raportohet fare”, - tha Bushati. “Dhe ngjarja e Gërdecit nuk mund të barazohet, siç e barazoi ministrja, me vizitën e Xhorxh Bushit. Ngjarja e Gërdecit eventualisht ngërthen disa elementë; elementë që kanë të bëjnë me shëndetin dhe mjedisin, elemente që kanë të bëjnë me mënyrën se si licencohet ky lloj biznesi, elementë që kanë të bëjnë me cilësinë e qeverisjes, me korrupsionin, elementë që kanë të bëjnë me shërbimet sekrete, për mënyrën se si këto raportonin”, - sqaroi kreu i Lëvizjes Evropiane Shqiptare. Sipas tij, kjo ngjarje “ka të bëjë me të gjithë konceptin e shtetit dhe i gjithë procesi i integrimit evropian në një mënyrë ose në një tjetër, është i reflektuar tek anomalitë që u shfaqën tek Gërdeci”. Bushati shprehu rezerva për mënyrën se si progres-raporti kalon direkt në Bruksel pa u konsultuar dhe diskutuar më parë në një tryezë të gjerë, siç është edhe komiteti ndërministror i integrimit evropian, apo pa e diskutuar me grupet e interesit. Bushati shprehet se në këtë raport nuk sqarohet asgjë për marrëdhëniet e qeverisë me prokurorinë apo organet e tjera të drejtësisë. “Bie fjala, për aspekte që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi është vënë në dukje nga të gjithë aktorët e grupet e interesit, nga shoqata e gjyqtarëve, nga KLD-ja, nga shoqata e prokurorisë, nga misioni ndërkombëtar që asistojnë Shqipërinë, po ka pasur deklarata nga ambasadori amerikan, nga ambasadorë të vendeve të BE-së që vënë gishtin mbi dy pika, së pari që qeveria duket se e ka të vështirë të bashkëjetojë me këto lloj institucionesh dhe ka një tendencë për t’i kontrolluar”, - konstatoi Bushati. Dhe së dyti, tha ai, grupet e interesit nuk thërriten fare në proces, ose thërriten në minutën e fundit pas një presioni që i bëhet ose edhe kur thërriten apo edhe kur shfaqin mendimet e tyre kundër, nuk thërriten më. “Pikërisht e gjithë kjo mënyrë se si vijnë deri tek ligji, mungon në raportimin që i bën Qeveria Brukselit. Sipas tij, mungojnë raportimet konkrete për sa i përket mënyrës se si implementohen ligjet. “Nuk më intereson të shikoj një listë trajnimesh gjoja të stafit, por më intereson të di; ligji për prokurimet publike, çfarë lloj efektiviteti ka pasur? Departamenti i administratës publike është fuqizuar? Numri i nëpunësve që ikin nga puna është zvogëluar? Kontrolli i administratës publike është shtuar apo është shtuar kontrolli politik?”, - janë këto pyetje që Bushati tha se nuk gjejnë përgjigje në progres-raport.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›