E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Sigurisë së Kosovës, takim me homologët shqiptarë dhe Topallin

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje në një takim deputetët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Fillimisht deputetët kosovarë janë takuar me anëtarët e Komisionit të Sigurisë në Kuvendin e Shqipërisë ku është diskutuar gjerësisht për marrëdhëniet dypalëshe dhe më pas dhe me kryetaren e Kuvendit, Topalli. Kryetarja e Kuvendit shprehu kënaqësinë që në një kohë kaq të shkurtër kryetari i Kuvendit të Kosovës, ministri i Jashtëm, deputetë të Komisionit të Ligjeve dhe të Komisionit të Sigurisë kanë pasur takime intensive në komisionet reciproke në Shqipëri, me ministra dhe përfaqësues të politikës shqiptare. Komisioni i Sigurisë i Kuvendit të Kosovës është krijuar vetëm prej gjashtë muajsh, për faktin se vetë institucionet e sigurisë në shtetin e ri të Kosovës janë në formim e konsolidim. Si një komision i ri, deputetët anëtarë të tij shprehën interesin për një bashkëpunim sa më të ngushtë me Kuvendin e Shqipërisë dhe veçanërisht me Komisionin e Sigurisë, për të shkëmbyer përvoja. Topalli tha se Parlamenti shqiptar mbetet i hapur në dhënien e përvojës parlamentare për të gjithë deputetët, por edhe administratën e Kuvendit të Kosovës, të cilët do të gjejnë gjithmonë bashkëpunim në Kuvendin e Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›