E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori në Shqipëri, për kryeministër në Gjeorgji

 

Ndoshta është ambasadori më i heshtur në Tiranë, por dje është propozuar për kryeministër. Pas luftës, krizën gjeorgjiane pritet ta zgjidhë pikërisht Grigol Mgaloblishvili. Aktualisht Mgaloblishvili është ambasadori i Tbilisit në Tiranë dhe është propozuar për kreun e ekzekutivit të Gjeorgjisë së pasluftës. Presidenti Mikhail Sakashvili, pasi shkarkoi nga detyra kryeministrin Lado Gurganidze, gjeti pikërisht emrin e diplomatit në Tiranë për kreun e qeverisë. Ai e propozoi atë menjëherë pas shkarkimit të kreut aktual të qeverisë. Ambasadori në Tiranë ka mbaruar shkollën në Oksford, kredenciale të mjaftueshme këto për të propozuar një 35-vjeçar në krye të qeverisë gjeorgjiane. Ende nuk dihen zyrtarisht shkaqet që çuan në shkarkimin e  kryeministrit Lado Gurganidze dhe, sipas analistëve, kjo lëvizje nuk ka të bëjë me luftën e zhvilluar në muajin gusht mes forcave gjeorgjiane dhe atyre ruse lidhur me dy rajonet separatiste gjeorgjiane të Osetisë së Jugut dhe Abkazisë. Presidenti pro perëndimor i Gjeorgjisë, Mikhail Sakashvili, i cili erdhi në pushtet në vitin 2003 nëpërmjet Revolucionit të Trëndafiltë, po përballet me kritika të shumta nga drejtuesit e opozitës. Ata e akuzojnë Sakashvilin se e futi vendin në një luftë që Gjeorgjia nuk mund ta fitonte.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›