E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA incident me Sirinë, nga sulmi vriten 8 banorë

 

Disa helikopterë luftarakë amerikanë, që ndodheshin në territorin irakian kanë sulmuar të dielën një fshat në Siri. Sipas njoftimeve nga Siria në aksion humbën jetën 8 banorë. Ky sulm ka sjellë reagimin e ashpër të qeverisë në Damask. Zyrtarët sirianë thanë, se ky ishte një krim i paprovokuar kundër civilëve. Sipas DW, edhe zëdhënësi për shtyp i ambasadës siriane në Londër e ka kategorizuar këtë sulm si “krim të tmerrshëm”. Të dielën pasdite, trupa amerikane hynë me helikopterë nga Iraku në territorin sirian dhe jo larg kufirit në Abu Kamal. SHBA-ja e fajëson Sirinë për luftëtarët e huaj që hyjnë në Irak. Qeveria irakiane është përpjekur të sqarojë se sulmi me helikopter të dielën brenda Sirisë kishte si objektiv një zonë, që përdorej nga kryengritësit në sulme ndërkufitare me Irakun. Sipas një zëdhënësi të qeverisë irakiane, zona ishte përdorur nga kryengritës që vranë 13 rekrutë, policë irakianë në një fshat në kufi. Si protestë ndaj sulmit në Damask u thirrën në Ministrinë e Jashtme përfaqësuesi i interesave amerikane dhe ambasadori irakian. Iraku u paralajmërua se mbante përgjegjësinë për sulme që kryhen nga territori i tij. Sipas analistëve, ky aksion nuk pritet të provokojë konflikt të gjerë apo shpallje lufte dhe me sa duket ato i rëndojnë vetëm përkohësisht marrëdhëniet dypalëshe. Njëlloj si marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Pakistanit që vazhdojnë të jenë aleatë, marrëdhëniet midis Ankarasë dhe Bagdadit janë të patrazuara dhe pavarësisht sulmit izraelit, Siria nisi negociata të tërthorta paqeje me Izraelin. Sulmi amerikan i fundjavës mendohet të mos ketë pasoja afatgjata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›