E Diel, 1 Nëntor 2026

Sopranoja Oriana Kurteshi:Luçia jam unë

 

Alma Mile

U bë kohë që Luçia e ndjek nga pas. Kjo vajzë e brishtë, që kalon deri në çmenduri për dashurinë nuk e lë të flejë. Mendon për çdo fjalë që ajo thotë, për çdo veprim. Oriana Kurteshi është një nga ato soprano që e ka ngritur karrierën e saj pa shumë zhurmë jashtë. Me sy që i shkëlqejnë, një buzëqeshje rrezëllitëse dhe sinqeritetin çarmatosës, të bën menjëherë për vete. Jo më kot kjo vajzë trupvogël ishte “beniaminia” e drejtorit artistik të “La Scala”. Tanimë ndodhet në Tiranë për të interpretuar në rolin e Luçies në operën e Gaetano Donixetit, “Luçia di Lamermur”.
Pas 10 vitesh vini të këndoni në skenën e TKOB-it, pse kaq vonë?
Ndoshta nuk kishte ardhur momenti i duhur për t’u paraqitur me një rol të rëndësishëm. Nuk di, ndoshta ende nuk ishin të bindur tek unë. Tani them se është momenti im.
Deri më sot vizitat tuaja kanë qenë të “heshtura”, nuk ju pëlqen publiciteti?
Është e vërtetë që kam ardhur dhe ikur pa u ndjerë. Më pëlqen publiciteti. Jashtë është në modë. Shumë e mendojnë “më parë imazhi e më pas puna”. Për mua është ndryshe, por kështu funksionon. Bota ecën me imazh.
E njohim pak “Luçian e Lamermurit”, na tregoni ku ndryshon roli juaj nga të tjera heroina si Violeta apo Mimija?
Është një rol në karakterin e zërit tim. Është një vepër shumë e rëndësishme, shumë e vështirë, që edhe sopranot e mëdha e marrin me frikë. Do ta quaja një kulm karriere. Është një opera e bukur, sentimentale, me një histori të fortë. Edhe heroinat e operave, si Violeta, Mimija etj., vuajnë nga dashuria dhe kanë një fund tragjik, por historia e Luçias është shumë më e fortë.
Sa kohë ju duhet për të hyrë në petkat e personazhit që luani?
Duhet kohë. Duhet studiuar libreti, çdo fjalë që ajo thotë, duhet të imagjinoj gjendjen në të cilën e thotë. Është shumë e rëndësishme të hysh në personazh. Kur jemi në rol, duhet të zhvishemi nga vetja. Unë nuk mund të jem më Oriana, por Luçia. Ne themi “roli duhet të hyjë në mish”, duhet të bëhet i yti. Luçia po më merr gjithë ditën, sepse edhe kur jam në shtëpi mendoj për të. Nuk munda të fle mbrëmë, sepse po mendoja arien time dhe isha duke menduar se pse ajo thoshte “jo, jo, mos ik Edgardo!”. Është një punë kolosale, të cilën ne bëjmë me veten tonë.
Është e mundur ta “mbyllësh me çelës” në studio personazhin e të mendosh një moment për jetën tënde?
Në këto momente roli më ndjek nga pas. Ndoshta, sepse kam jetuar një moment të vështirë në jetën time dhe me Luçien unë zhytem e tëra. Jam një natyrë shumë e ndjeshme dhe ka momente që nuk arrij të këndoj, sepse muzika është aq e bukur… E adhuroj Belinin Donixetin, Gunonë dhe vitet e fundit zëri im është bërë i përshtatshëm për këto vepra. Do të doja që karriera ime të vijonte në këto binarë. Do të doja të vazhdoja të interpretoja rolet e këtyre vajzave 16-17-vjeçare, të cilat i përjetojnë gjërat me shumë forcë, duke u zhveshur nga çdo lloj paragjykimi, me gjithë sinqeritetin e tyre.
Pas kaq vitesh mungese si e gjeni Teatrin e Operës?
Jam e lumtur që takova sërish kolegët me të cilët punova për dy vjet, para largimit tim. Rikthehem dhe gjej të njëjtët njerëz, po atë dashuri që të rrethon. Por shoh se kushtet e punës janë të vështira. Do të doja të kishin një teatër më të madh, më të bukur, ku të mund të bënin art pa vështirësi. Ka shumë gjëra që mungojnë, por shpresoj që gjërat të ndryshojnë shumë shpejt. Kam parë që drejtori aktual ka bërë një punë shumë të mirë për hapjen e teatrit, bashkëpunimin me teatrot e huaja dhe afrimin e këngëtarëve që këndojnë jashtë si Jaho, Pirgu, Lufi etj.
Sa të vështirë e patët të ngrini karrierën tuaj jashtë vendit?
Sopranoja jonë e famshme, Inva Mula, që ka qenë idhulli im, që në vogëli më ka thënë: “Nxirri thonjtë! Duhet të jesh e fortë!” Nuk e kam harruar këtë. Ka qenë e vështirë. Kam sakrifikuar shumë. Jo të gjithë kanë mundur t’ia dalin, por unë jam e lumtur që me sakrificat që kam bërë, kam arritur të ngre diçka.
Por keni arritur të këndoni shumë herë në “La Skala”…
Kam qenë me fat, sepse kam pasur një bashkëpunim me drejtorin artistik Rikardo Muti, i cili më ka rritur shumë nga ana profesionale. Kam bërë 5 produksione atje dhe duhet thënë se janë shumë. Të fundit e kam bërë në 2006-ën dhe pres një tjetër rol. Gjithsesi nuk jam e vetmja.
Ç’role ju presin më tej?
Akoma nuk kam kaluar në role të mëdha si Mimi apo Violeta, por them se kam shumë kohë para. Duke qenë një soprano lirike legero, kam ende shumë role për të luajtur. Rolin e Mimisë, për pjekurinë time vokale e shoh pas 10 vjetësh, ndërsa rolin e Violetës shpresoj të mos e luaj asnjëherë. Sopranot e ëndërrojnë, por do të doja të mos ma propozonin. Nuk më pëlqen. Ëndrra ime është të luaj në operën “Tais”, të cilën e kam dëgjuar të kënduar nga Inva Mula dhe jam dashuruar pas kësaj vepre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›