Çmimi “Marie Kraja” udhëton drejt Amerikës
U mbyll të dielën në mbrëmje edicioni i nëntë i Festivalit Ndërkombëtar të Vokalit Operistik “Marie Kraja”. Në natën finale të festivalit u përzgjodhën nga juria ndërkombëtare nëntë finalistë nga Italia, Turqia, Koreja e Jugut, Shqipëria, Kuba, Kosova etj. Çmimi i madh “Marie Kraja”, i vlerësuar me 4000 mijë euro dhe mundësuar nga MTKRS,
këtë vit ka shkuar në SHBA. Baritoni Michael Anthony McGee është shpallur fitues i këtij viti. Çmimi i dytë, i vlerësuar me 3000 euro i është dhënë koreano-jugores Hee-Jin Oh dhe çmimi i tretë i vlerësuar me 2000 euro ka shkuar për kosovarin Ramë Lahaj. “Është një mundësi e jashtëzakonshme për mua”, ka thënë fituesi i këtij edicioni Michael Anthony McGee, pas fitores së çmimit të parë. “Nuk kisha interpretuar kurrë më parë në Evropë, ky është rasti i parë. Dhe besoj se me këtë titull kaq prestigjioz shumë mundësi të tjera më presin. Pata rastin jo vetëm të interpretoja përpara një publiku të jashtëzakonshëm, por edhe të krijoj kontakte të reja me anëtarët e jurisë, njerëz të rëndësishëm në skenën e muzikës operistike”. Bir i një sopranoje, Michael Anthony, origjina e të cilit është në Teksas, kontaktin e parë me muzikën e ka pasur që në fëmijëri. Por pragun e vërtetë e shkeli kur nisi studimet në “High School for Performing and Visual Arts” në Dallas. Në fillimet e veta ka shënuar shumë role në muzikale, ndërsa operën dhe këngën lirike e ka prekur që në vitin e dytë të studimeve. “Fëmijë i vetëm në një familje paksa të mbyllur”, e përshkruan veten Michael. Në natën e parë të festivalit u paraqit me dy arie të mëdha, atë të Alekos nga opera “Aleko” e Rohmaninov dhe arien Tanhoizer nga opera me të njëjtin emër e Wagner-it.