OKB propozoi ndarjen administrative të Kosovës
I dërguari i Kombeve të Bashkuara nga Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki Mun për të ndërmjetësuar dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit mbi praninë civile ndërkombëtare dhe rikonfigurimin e UNMIK-ut, Andrew Ladley ka propozuar “ndarje administrative” të Kosovës. Sipas “Kosova Report”, burime nga qeveria e Kosovës dhe diplomatët ndërkombëtarë kanë konfirmuar se ky plan çon drejt ndarjes praktike të Kosovës. Në propozimin e tij, Ladley sugjeron ndarjen e policisë etnike për serbët në veri të Kosovës dhe për më tepër që të ardhurat e doganave të mbahen nga serbët atje. Plani i Ban Ki Munit mbi rikonfigurimin e UNMIK-ut parashikon kompromise mes Kosovës dhe Serbisë në gjashtë fusha: polici, dogana, gjykata, transportin dhe telekomunikacionin, administrimin e kufijve dhe objektet fetare. Dy pika që sfidojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës janë doganat dhe policia. Propozimi i Ladley-t është që sistemi i doganave në veri të funksionojë ndaras nga pjesa tjetër e Kosovës dhe të ardhurat të mbahen nga autoritete lokale në veri, që do të thotë institucionet paralele serbe të drejtuara nga Beogradi. Por Prishtina zyrtare i ka kundërshtuar këto ide. Këto opsione konsiderohen të dëmshme dhe në kundërshtim edhe me pakon e Ahtisarit, si bazë e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës, deri më tani nuk kanë bërë komente zyrtare mbi planet shtesë të OKB-së për Mitrovicën dhe veriun e Kosovës. Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, i ka quajtur të papranueshme idetë që çojnë drejt ndarjes administrative të veriut dhe institucioneve të Kosovës. “Është një plan i prezantuar, por është plotësisht i papranueshëm. Nuk mund të ketë dy dogana, dy administrata. Kjo bie ndesh edhe me pakon e Ahtisarit”, tha Rexhepi. Çdo ide që çon nga ndarja konsiderohet e papranueshme edhe për opozitën. Sipas ish-kryeministrit të Kosovës dhe nënkryetarit të AAK-së, Bajram Kosumi, nuk ka informacione të sakta, nëse ka një plan zyrtar për ndarje administrative në veri të Kosovës, por në çdo rast, ai tha se planet e tilla Prishtina duhet t’i kundërshtojë. Kosumi tha se bisedimet e paralajmëruara Prishtinë–Beograd, të ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara, duhet të bëhen transparente dhe nëse dikush flet për plane vetëm për veriun e Kosovës, atëherë sipas tij, edhe Prishtina duhet të ngre për diskutim çështjen e Luginës së Preshevës. Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED) ka paraqitur sot një propozim, me të cilin prezantohen ide për normalizimin e gjendjes në veriun e Kosovës, duke prezantuar planin “Ahtisari Plus”.
Ish-ministri serb i kundërpërgjigjet Çekut
Thirrja e ish-kryeministrit, Agim Çeku, se qeveria e Prishtinës duhet ta deklarojë veriun e vendit një “zonë interesi të veçantë” ka provokuar reagime në Serbi. “Nëse kjo zonë e Kosovës deklarohet zonë interesi e veçantë, kjo do të thotë se prania e zyrtarëve të Kosovës në këtë zonë do të jetë e sigurt. Këta zyrtarë do të punonin atje dhe autoriteti i shtetit të Kosovës do të vendosej”, tha Çeku të dielën, duke shtuar se në këtë mënyrë refuzimi i serbëve, që dominojnë zonën për t’u qeverisur nga Kosova do të ishte ‘i përkohshëm’. Por Çeku nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës. “Përdormi i forcës është detyra e çdo organi sigurie. Unë nuk do të isha pro përdorimit të dhunës, por forca është e nevojshme”, tha ish-kryeministri. Këto komente kanë marrë përgjigjen e ish-ministrit të Jashtëm jugosllav, Goran Svilanoviç, i cili tha se askush nuk guxon të nënçmojë gatishmërinë e Serbisë. “Nëse dikush beson se Prishtina do të qeverisë me forcë veriun e Kosovës, mendoj që gabon shumë, sikurse gabon çdokush në Beograd, që beson se Beogradi do të qeverisë me forcë Prishtinën. Këto gjëra nuk do të ndodhin”, tha Svilanoviç, duke shtuar se qeveria e Serbisë dhe ajo e Kosovës duhet të përgatiten për dialog, i cili do të zhvillohej për çështjet jetësore të qytetarëve.