E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, në shtator çertifikon heqjen e vizave

Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle deklaroi dje se pala shqiptare kishte përmbushur çfarëdolloj detyrimi dhe se në shtator, në mbledhjen më të parë, pas pushimeve të verës, të Këshillit të Ministrave, do merrej vendimi për heqjen e vizave. Pjesa tjetër e procesit mbetet thjesht procedurë, para se shqiptarët që posedojnë pasaporta biometrike të lëvizin lirshëm në vendet e hapësirës “Shengen”


Shqipëria ka kaluar testin për liberalizimin e vizave. Kryekomisioneri i Bashkimit Evropian, për Zgjerimin, Stefan Fule, është shprehur se vlerësimi i ekspertëve është plotësisht pozitiv, çka do të thotë se Shqipëria ka përmbushur kriteret e përfitimit të vizave. Kryerja e angazhimeve të udhërrëfyesit nga qeveria shqiptare dhe raporti pozitiv i ekspertëve të Bashkimit Europian që vizituan Tiranën gjatë këtij muaji, cilësohen tashmë nga Brukseli si hapa mjaft inkurajues në procesin e liberalizimit të vizave. Fule thotë se Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian do të bëjë në shtator propozimin për heqjen e regjimit të vizave, ç’ka do të thotë se deri në fund të vitit shqiptarët do të lëvizin pa viza. “Kam qenë gjithmonë optimist për procesin e vizave, për Shqipërinë, aq më tepër duke parë rezultatet shumë të mira të Qeverisë shqiptare në përmbushjen e udhërrëfyesit. Së fundmi kishte një mision ekspertësh në Shqipëri dhe ato që kam dëgjuar në lidhje me raportin e ekspertëve, janë shumë inkurajuese. Shpresoj shumë që në shtator, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Ministrave të fillojnë një proces, në fund të të cilit qytetarët shqiptarë do të mund të udhëtojnë pa pasur nevojë për vizë”, u shpreh zyrtari i lartë i Brukselit. Lidhur me situatën politike në Shqipëri, komisioneri Fule u shpreh se forcat politike duhet të bëjnë përpjekje të shumë anshme, për nisjen e dialogut politik. “Jam i kënaqur që partitë politike janë kthyer në parlament, por njëkohësisht unë shoh një hendek në dialogun mes qeverisë dhe opozitës dhe kam frikë se nuk janë zgjidhur siç duhet arsyet e ngërçit politik. Pra, mbetet ende punë për të bërë nga forcat politike në Shqipëri, bazuar në parimet që tashmë i kemi përsëritur gjithnjë; Kushtetueshmëria dhe Transparenca”, deklaroi më tej, komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule. Ekspertët e Bashkimit Evropian vëzhguan nga afër procesin e përmbushjes së kritereve të liberalizimit të vizave. Vlerësimi paraprak i misionit faktmbledhës së Brukselit, është se autoritetet shqiptare kanë plotësuar me seriozitet detyrat e udhërrëfyesit për vizat.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›