Ambasadori turk: Për tragjedinë do të ketë hetim ndërkombëtar
Ditën e sotme pritet që anija turke “Barbarosa” të vijojë kërkimet për gjetjen e trupave të tetë marinarëve të zhdukur
DURRËS Anija turke, e cila prej disa ditësh kishte nisur kërkimet në ujërat e Adriatikut për gjetjen e trupave të tetë marinarëve të zhdukur, ditën e djeshme i ka ndërprerë kërkimet, ndërsa shpresat janë të vakëta për gjetjen e tyre. Ndërkohë, ambasadori turk në Tiranë, Hasan Hashan ka deklaruar se kërkimet do të vazhdojnë dhe se për zbardhjen e ngjarjes do të ketë një hetim ndërkombëtar.
Sipas burimeve nga porti i Durrësit mësohet se anija turke, e cila vijonte e vetme kërkimet është kthyer në port, pa asnjë rezultat duke mos bërë të mundur gjetjen e trupave të marinarëve të anijes tregtare “Reina 1”. Edhe pse anije ushtarake “Barbarosa” ishte e pajisur me aparatura moderne të kërkimit në sipërfaqe, por edhe në thellësi të detit, nuk ka arritur të gjejë deri tani asnjë nga trupat e 8 marinarëve të zhdukur. Megjithatë mësohet se anija do të vijojë kërkimet në ditët në vazhdim. Ajo është futur mëngjesin e së dielës për furnizim në portin e Durrësit. Sipas burimeve zyrtare të portit të Durrësit, “TCG Barbarosa” do të bëjë dhe pastrimin e pajisjeve nga ndotjet gjatë kërkimit për tetë marinarët që rezultojnë të humbur.
Hetimi
Gjatë gjithë kësaj kohe, ambasadori turk në Tiranë iu ka qëndruar pranë dy të mbijetuarve, të cilët pas përplasjes së anijes u shtruan për të marrë ndihmën e parë në spitalin e Durrësit. Ndërkohë, ambasadori turk Hasan Hashan sqaron se anija është ankoruar në port për t’u furnizuar dhe do rinisë sot operacionin e kërkimit. Për sa iu përket hetimeve, ai ka deklaruar se “nuk ka hetim nga pala shqiptare, por hetimi do jetë nga ndërkombëtarët, pasi dhe tragjedia ka ndodhur në ujërat ndërkombëtare”,- ka thënë ambasadori Hashan, duke sqaruar se anijet kanë njëra flamur turk, tjetra maltez. Ai ka sqaruar se ngarkesa e rëndë e anijes me alumin ka bërë që ajo të mbytet brenda pak minutave dhe ka falënderuar autoritetet shqiptare për angazhimin e treguar. Ndërkohë një pjesë e bazës materiale të anijes së mbytur është gjetur nga anija e Guardia di Financa italiane, e cila ndodhet në portin e Durrësit, dhe materialet janë depozituar pranë rojës bregdetare për hetimet për të zbardhur shkaqet e tragjedisë. Edhe pse vazhdojnë hetimet dhe nuk ka një konkluzion zyrtar për shkaqet, paraprakisht ekspertët flasin për një gabim njerëzor, ndërkohë që administrimi i kutisë së zezë së anijes do të sqarojë edhe rrethanat si ka ndodhur përplasja e dy mjeteve që u përplasën rreth 20 milje larg brigjeve të Durrësit. Të vetmit të mbijetuar nga tragjedia janë kapiteni i anijes, Ahmet Sojturk dhe oficeri i dytë i saj, Ahmet Bal. Anija turke “Reina 1” me ekuipazh turk dhe flamur maltez, ishte nisur nga Rusia me destinacion portin e Barit në Mal të Zi. Anija u mbyt disa ditë më parë në detin Adriatik, për shkak të përplasjes me tragetin e linjës Bari- Durrës, “Ankara”, 20 milje larg portit detar.