E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutohet Alban Deliu, i pasionuari pas armëve

Emigranti 27-vjeçar është gjendur i vrarë në një park në Prato të Italisë. Ishte anëtar i shoqatës “Soft Air”, sport argëtues për simulim me armë zjarri

Itali Një i ri shqiptar, emigrant prej vitesh në Itali mbeti i vrarë, pasi u qëllua me armë zjarri në orët e para të ditës së djeshme. Viktima Alban Deliu 27 vjeç, u gjet dje në orën 06:30 të mëngjesit i pajetë në rrugën “Carlo Marx”, afër një kopshti të gjelbëruar në të këtë zonë, nga një banor i cili njoftoi policinë. Mjekësia Ligjore arriti në përfundimin se i ndjeri e kishte marrë goditjen fatale me plumb në qafë. Policia italiane ka nisur hetimet fill pasi është njoftuar për gjetjen e trupit të 27-vjeçarit, por deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk kishte asnjë të dhënë mbi autorin e kësaj vrasjeje. Alban Deliu ishte një djalë i pasionuar pas armëve dhe bënte pjesë në shoqatën italiane “Soft Air”. Ky është një sport argëtues me simulim armësh zjarri dhe në Itali ka popullaritet të gjerë. Ai bashkëjetonte me një vajzë italiane, me të cilën kishte sjellë në jetë para dy vjetësh një fëmijë. Por kohët e fundit raporti mes tyre ishte ndërprerë. Në Prato, Alban Deliu kishte afër vendbanimit edhe nënën e motrën e tij. Kjo e fundit tregon se mbrëmë deri në mesnatë, minutat e para të së dielës, Albani kishte darkuar tek ajo dhe më tej ishte kthyer për në shtëpi. Policia thotë se ka dyshime që vrasja të jetë rrjedhojë e një grindjeje para një jave mes Alban Deliut dhe disa personave të tjerë, që nuk konfirmohet nëse ishin po ashtu shqiptarë. Gjithashtu po hetohet edhe pasioni i të riut për armët e zjarrit, por nga hetimet paraprake nuk rezulton që vrasja të ketë ardhur për shkak të qenies së tij pjesëtar i shoqatës “Soft Air”, ku disa herë ai ishte shpallur kampion në aktivitete të ndryshme. Marrë nga NOA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›