E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet droga në autobus, arrestohet 17-vjeçari

Gjirokastër Për të dytën herë brenda pak ditësh, efektivat e policisë së Gjirokastrës kanë goditur një rast të trafikimit të lëndëve narkotike me autobus udhëtarësh. Pas sekuestrimit përpara disa ditësh të rreth 25 kg marijuanë në autobusin e linjës Gjirokastër-Tiranë dhe ndalimit të dy personave të dyshuar si transportues të saj, policia lokale ka sekuestruar sërish një sasi droge në një autobus udhëtarësh, si dhe ka nisur procedimin penal për dy persona. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, rreth orës 22:30 të së shtunës, gjatë një kontrolli të ushtruar në autobusin e linjës Gjirokastër-Tiranë, në vendin e quajtur “Uji i Ftohtë”, strukturat e Policisë së Shtetit kanë zbuluar një ngarkesë me lëndë narkotike. “Rreth 5 kilogramë marijuanë ne i zbuluam të paketuara në një valixhe të fshehur në bagazhin e autobusit”, - thonë burimet policore. Pas hetimeve intensive agjentët e antidrogës në policinë e Gjirokastrës kanë arritur të identifikojnë personin, i cili kishte vendosur valixhen në bagazhin e autobusit. “17-vjeçari me inicialet Z.I. nga Tirana, ka hipur në autobus në stacionin e nisjes në Gjirokastër dhe pasi ka vendosur valixhen në bagazhin e mjetit ka zbritur nga autobusi. Më pas, për t’u shpëtuar postblloqeve të policisë, ai ka komunikuar me telefon me një person tjetër, i cili do ta priste valixhen me lëndë narkotike në qytetin e Tiranës”, - thonë burime në grupin hetimor. Policia ka ndaluar të dyshuarin në një hotel në qytetin e Gjirokastrës për veprën penale “prodhim dhe shitje të narkotikëve”, ndërkohë që është shpallur në kërkim edhe personi tjetër që priste ngarkesën me 5 kg marijuanë në Tiranë. Sipas grupit hetimor, sasia e lëndës narkotike ishte blerë në fshatin Lazarat dhe do të shitej në doza të vogla në Tiranë. Brenda dy javësh, strukturat e Policisë së Shtetit në Qarkun e Gjirokastrës kanë goditur katër raste të trafikimit të ngarkesave me lëndë narkotike duke sekuestruar rreth 61 kg marijuanë, kanë ndaluar pesë persona, si dhe kanë shpallur në kërkim një të dyshuar si transportues të ngarkesave me marijuanë jo vetëm në drejtim të zonave të tjera të vendit, por edhe me destinacion Greqinë. B.SH

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›