E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia në minierë, ACR merr masa për 3 punonjës

Disa ditë pas shpërthimit tragjik, kompania ACR ka hequr nga puna shefin e brigadës së ajrimit, si dhe ka ulur në detyrë dy të tjerë

BULQIZË Gjatë një mbledhjeje të organizuar në Bulqizë nga kompania ACR, ku është bërë analiza e shkaqeve të shpërthimit të ndodhur ditë më parë, ku humbi jetën një minator dhe u plagosën tetë të tjerë, kompania ka marrë disa masa për tre nga punonjësit e saj. Pas diskutimeve dhe analizës mësohet se është shkarkuar shefi i brigadës së ajrimit të minierës, inxhinier Afrim Okshtuni, ndërsa Hamit Gjinit, i cili ka qenë brigadier i nivelit 16, i është dhënë paralajmërim për pushim nga puna; Luan Curi është shkarkuar nga detyra dhe është lejuar të punojë si punëtorë i thjeshtë. Këto janë disa nga masat që ka ndërmarrë vetë kompania, por ndërkohë prokuroria po bën hetimet për të nxjerrë shkaqet dhe shkaktarët që sollën aksidentin e rëndë në galeri. Gjatë këtyre ditëve, edhe pse është tentuar të futen të minierë për të bërë të mundur matjen e gazit, një gjë e tillë nuk është mundësuar pasi niveli i gazit ka qenë tej normave të lejuara. Paralel me prokurorët që kanë hyrë në minierë, po heton edhe reparti i Inspektim-Shpëtimit të Minierave. Ngjarja ndodhi kur grupi i minatorëve u fut në nivelin e 16-të për të vendosur sistemin e ajrimit të tij. Gazmatësi diktoi nivele shumë të larta të hidrogjenit dhe kërkoi që minatorët të dilnin me shpejtësi, por fatkeqësisht një shkëndijë e ndezi atë dhe shkaktoi shpërthimin tragjik. Ekipet e shpëtimit i nxorën minatorët nga nëntoka. Fillimisht dolën 8 prej tyre, njëri prej të cilëve i vdekur, ndërsa më vonë u gjet edhe minatori i nëntë i plagosur. Të dëmtuarit pësuan fraktura dhe djegie të mëdha dhe u nisën për në spitalin e qytetit. Më pas, tre prej tyre u dërguan në Spitalin Ushtarak në Tiranë me helikopter dhe më pas në Spitalin Amerikan. Ditën e mërkurë minatorët braktisën punën në minierë, në shenjë proteste për tragjedinë e një dite më parë dhe morën pjesë në ceremoninë e varrimit të minatorit që humbi jetën, Naim Shyti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›