E Diel, 1 Nëntor 2026

U zhduk një javë më parë, gjendet i vdekur në pyll 55-vjeçari

Viktima Fitim Hyka është gjetur i pajetë paraditen e djeshme nga disa gjahtarë të zonës. Ende nuk janë përcaktuar shkaqet e vdekjes së tij

BULQIZË Për më shumë se një javë, familjarët e 55-vjeçarit Fitim Hyka kishin denoncuar në policinë e Dibrës zhdukjen e familjarit të tyre. Por vetëm dje është bërë e mundur gjetja e trupit të pajetë të tij. Ndërkohë, nga hetimet paraprake mbetet ende mister se cili është shkaku i vdekjes së 55-vjeçarit.

Denoncimi

Sipas burimeve nga policia lokale mësohet se 55-vjeçari Fitim Hyka ishte larguar nga shtëpia një javë më parë për të vajtur te një miku i tij në fshatin Valikardhë të Zerqanit, një rrugë, të cilën ai do ta përshkonte në këmbë. Meqenëse ai ishte vonuar dhe as familja dhe as të afërmit nuk kishin dijeni rreth fatit të Fitimit, ata kanë kërkuar ndihmën e policisë për gjetjen e tij. Duke mos pasur një përgjigje nga ana e policisë, atëherë familjarët janë përpjekur që të bënin vetë kërkime, por gjithçka ka rezultuar pa sukses, pasi ata nuk kanë mundur dot që ta gjenin të gjallë.

Zbulimi

Gjahtarë të zonës së Zerqanit janë befasuar dje paradite kur kanë gjetur kufomën e një burri. Menjëherë ata kanë njoftuar policinë lokale për ngjarjen e rëndë. Efektivë të policisë kanë mbërritur shpejt në vendin e ngjarjes dhe kanë kuptuar se trupi i pajetë i përkiste shtetasit Fitim Hyka. Dje paradite, gjahtarë të zonës ishin futur për gjueti në pyllin e fshatit Valikardhë. Krejt papritur para tyre është shfaqur trupi i pajetë i një mashkulli. Policia nuk e ka pasur shumë të vështirë ta identifikojë trupin e viktimës sepse prej ditësh dispononte një foto të Hykës. Policia e Bulqizës e ka dërguar kufomën e të ndjerit fillimisht në morgun e spitalit, ku mjekët kanë kryer ekspertizën mjeko-ligjore. Burime të besueshme informacioni saktësojnë se në trupin e Hykës nuk janë gjetur shenja dhune apo plagë. Sidoqoftë, hetimet do të vazhdojnë deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë, pasi ende nuk është përcaktuar se cili është shkaku i vdekjes së tij.

P. HASA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›