E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tritol në derën e biznesmenit, policia arreston të fejuarin e mbesës

SHKRUAN: Habjon Hasani 24-10-2011 12:52

Shpërthimi i tritolit të vendosur në derën e biznesmenit Dritan Jazexhiu shkakton dëme në 10 apartamente dhe panik në zonë. Policia zbulon si motiv të krimit një konflikt të Jazexhiut me të fejuarin e mbesës, për disa dyqane e prona

Tiranë Një shpërthim i fuqishëm tritoli rreth orës 03:15 të mëngjesit të djeshëm ka traumatizuar banorët e një pallati në rrugën “5 Maji” në Tiranë, pranë tregut të Medresesë. Sipas policisë, tritoli është vendosur në derën e banesës së biznesmenit Dritan Jazexhiu nga Tirana. Pesë orë pas shpërthimit të fuqishëm, policia ka vënë në pranga një të ri 21-vjeçar, të quajtur Klajdi Hoxholli, i cili është autori i dyshuar i vënies së sasisë së tritolit në derën e biznesmenit. Hetuesit dyshojnë se 21-vjeçari, rreth orës 03:00 ka vendosur tritolin tek pragu i derës së biznesmenit, i cili banon në katin e dytë të pallatit dhe më pas është larguar me automjetin e tij. Hetimet paraprake të policisë kanë zbuluar se autori i dyshuar është në fakt i fejuari i mbesës së Jazexhiut. Sipas të dhënave të mbledhura nga policia, 21-vjeçari Hoxholli është fejuar me vajzën e vëllait të biznesmenit, ndërsa pas vdekjes së këtij të fundit, mes palëve ka nisur një konflikt në lidhje me zotërimin e disa pronave të paluajtshme, kryesisht dyqane. Mes biznesmenit Dritan Jazexhiu dhe të fejuarit të mbesës së tij prej disa javësh kishte pasur disa përplasje dhe debate në lidhje me pronësinë e disa objekteve të familjes Jazexhiu. Hetuesit e policisë dyshojnë se këto mosmarrëveshje kanë bërë që i arrestuari Klajdi Hoxholli të ketë marrë vendimin për t’i dhënë “mesazh” biznesmenit. Nga të dhënat e regjistrit tregtar të Shqipërisë rezulton se biznesmeni Dritan Jazexhiu, së bashku me vëllanë e tij kanë nisur tregtinë që në vitin 1992 dhe kanë konsoliduar rreth tri kompani, të cilat janë të dedikuara në tregtimin dhe importimin e mallrave të ndryshëm nga Kina. Fitimet e tregtisë duket se i kanë bërë dy vëllezërit pronarë të disa dyqaneve, por edhe apartamenteve të ndryshme në disa zona të kryeqytetit. Pikërisht këto prona duket se kanë sjellë dhe përplasjen mes biznesmenit dhe të fejuarit të mbesës së tij, i cili tashmë ndodhet i arrestuar si autor i vënies së sasisë së tritolit dhe akuzohet për “tentativë vrasjeje me armë luftarake”. Banorë të pallatit kanë rrëfyer dje për MAPO-n tmerrin që kanë ndjerë në momentin e shpërthimit, ndërsa fuqia e tritolit është shumëfishuar, pasi ishte vendosur në një hapësirë të ngushtë të katit të dytë dhe ka dëmtuar rëndë dhe dy dyer të tjera shtëpish në të njëjtin kat, si dhe ka nxjerrë tërësisht derën e ashensorit të katit të dytë. “ Ishte shpërthim shumë i fuqishëm. Mua m’u duk sikur do kishin vdekur shumë persona, pasi ishte si bombë. Kam zbritur menjëherë në katin e dytë dhe pashë çdo gjë të shkatërruar dhe mendova se do ishin bërë dëme edhe në njerëz, pasi dyert kishin rënë dhe kishte shumë tym. Fatmirësisht nuk ka pasur viktima dhe pse mendoj se me atë shpërthim aq të fuqishëm, kjo ka qenë një mrekulli’, - u shpreh dje një banor i pallatit ku ndodhi shpërthimi.

I akuzuari për tritolin merret në pyetje

Policia ka marrë në pyetje të riun e arrestuar, Klajdi Hoxholli, i cili është i dyshuari kryesor i këtij shpërthimi. Burime nga policia pohojnë se ai nuk e ka pranuar vendosjen e eksplozivit, por të dhënat e mbledhura nga hetimi japin informacione të mjaftueshme për implikimin e tij. Nga ana tjetër, vetë pronari i shtëpisë së dëmtuar ka pohuar për policinë konfliktin që kishte me të fejuarin e mbesës së tij, lidhur me disa prona në Tiranë. Pas arrestimit, Klajdi Hoxholli është akuzuar për veprën penale të “tentativës së vrasjes me lëndë luftarake”, ndërsa dosja në ngarkim të tij i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës. Ai do të përballet me gjykatën, e cila do të vlerësojë edhe urdhër-arrestin për vendosjen e tritolit në shtëpinë e biznesmenit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›