Ambasadorja britanike: President konsensual siç përcakton Kushtetuta

Fiona McIlwham
Një tjetër diplomat lëshon apel ndaj klasës politike për të zgjedhur Presidentin e Republikës në mënyrë konsensuale dhe me pëlqimin e të dy kampeve. Ambasadorja e Britanisë së Madhe në Tiranë, Fiona McIlwham, deklaroi dje se Presidenti i ri duhet të jetë figurë e unitetit kombëtar. Nga Berati, ku ajo ndodhej në një vizitë zyrtare, ambasadorja deklaroi se Presidenti duhet të zgjidhet në mënyrë konsensuale dhe duhet të përmbushë me sukses këtë rol. Ju e keni të përcaktuar, si dhe vetë Kushtetuta juaj e përcakton shumë qartë që ai do të jetë një figurë e unitetit kombëtar. Dhe duhet të zgjidhet në mënyrë konsensuale dhe duhet të përmbushë me sukses këtë rol, theksoi ajo. Deklaratat e Mckwllham vijnë në të njëjtën linjë dhe me pohimet e diplomatëve të tjerë të Bashkimit Europian. Ambasadorja gjermane në Tiranë, Karola Mueller-Holtkemper, u shpreh pak ditë më parë se vendi i saj mbështet një proces konsensual dhe një President të ri që të jetë në lartësinë që kërkon kjo detyrë. Gjatë një vizite në qytetin e Burrelit, Holtkemper, e pyetur nga gazetarët, tha se Presidenti duhet të zgjidhet sipas rregullave dhe Kushtetutës vendëse, por nënvizoi se për pozicionin në fjalë mirëpritet një kompromis mes palëve dhe se kandidati duhet të ketë disa cilësi të veçanta për të qenë në krye të shtetit. Presidenti duhet të zgjidhet sipas rregullave. Shqipëria e ka një Kushtetutë ku përcaktohet qartë se si zgjidhet Presidenti, por ne mbështesim një konsensus mes palëve për të gjetur një emër që ka cilësitë e veçanta për të qenë President, tha ambasadorja Holtkemper. Po ashtu, edhe prezenca e OSBE-së në Tiranë inkurajoi zgjedhjen me konsensus të kreut të ri të shtetit. Ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth, deklaroi se 127 votat e dhëna për Avokatin e Popullit janë një tregues i qartë që konsensusi politik në Shqipëri mund të arrihet dhe të aplikohet edhe për Presidentin e Republikës. Ajo që është shumë e rëndësishme për të shtruar rrugën drejt integrimit europian është konsensusi, të folurit me njëri-tjetrin, dhe ja tek jemi te institucioni i Avokatit të Popullit. Kjo tregon se konsensusi është jo vetëm i mundur, por edhe se me konsensus Shqipëria ecën përpara, deklaroi ambasadori i OSBE-së.