E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha e Rama, replika për 1-vjetorin e 21 janarit

Berisha dje në mbledhjen e Grupit të PD

Kryeministri i kujtoi dje kreut të opozitës mesazhin e 23 janarit

Berisha: Ndëshkim ekzemplar nëse Rama tenton 21 janarin

21 janari, ditë e dashur, u mblodh Kongresi i Lushnjës

Kreu i qeverisë, Sali Berisha, paralajmëron Edi Ramën për të mos tentuar më të rrethojë godinën e Kryeministrisë si një vit më parë. Në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar demokrat, shefi i maxhorancës tha se në prag të përkujtimit të ngjarjeve të 21 janarit nuk do të lejojë përsëritjen e asaj situate. Edi Rama po flet gjithë këto ditë për këtë ngjarje. Unë kam ndërmend të merrem me ngjarjen historike, e cila është një ditë e dashur, një ditë e madhe në historinë tonë kombëtare. Por, të jem i sinqertë, dua ti them zotit Rama: Mesazhi që të kam dërguar në datën 23 janar 2011 është dhe do të mbetet për mua, sa të jem në politikë, i pandryshuar. Ndaj dhe mund të derdhësh lot krokodili, mund të bësh çdo gjë, por mesazhi i 23 janarit i ka brenda të gjitha ato që duhet të ketë. Nuk kam ndërmend të shkoj më tutje, u shpreh Berisha. Një vit më parë, më 23 janar, duke folur në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri kërcënoi Ramën, duke thënë se nëse do të rrethonte sërish godinën, do të merrte një dënim ekzemplar dhe se përveç atij, të gjithë të tjerët do të amnistoheshin.
Hetimi

Nga protestat e 21 janarit

Në të njëjtën kohë, lideri i maxhorancës vuri theksin në faktin se ende nuk janë marrë nën hetim organizatorët e ngjarjeve të dhunshme të 21 janarit. Sipas tij, një proces është në vazhdim. Deri më sot nuk ka asnjë hetim për organizatorët e tij, nuk ka asnjë hetim për mandatprerët që vendosën të kenë mandatin e dytë, duke përzënë me zjarr dhe hunj një qeveri legjitime të vendit. E vërteta është që e kam dëgjuar gjithë këto ditë të çirret dhe të zotohet, por e garantoj se ngjarja do të hetohet. E garantoj se ngjarja do të hetohet dhe se ata që mendojnë se do ta kapërcejnë këtë pa hetim, mashtrojnë veten. E bëj këtë edhe në respekt të madh të atyre që më 21 janar shpallën Tiranën kryeqytet, të atyre që themeluan një qeveri, e cila bëri përpjekjet më të mëdha për të vendosur Shqipërinë në rrugën e konsolidimit të shtetit, në rrugën e konsolidimit të dinjitetit kombëtar dhe bënë gjithçka të parandalonin aventurierët që kishin për profesion tregun me vendin e tyre.
Kongresi i Lushnjës
Sipas Berishës, 21 janari duhet kujtuar si dita kur u mblodh Kongresi i Lushnjës, i cili mandatoi qeverinë e Sulejman Delvinës dhe caktoi Tiranën si kryeqytetin e Shqipërisë. Kjo qeveri zgjodhi kryeministër një nga personalitetet më të përgjegjshme të këtyre 100 viteve, Sulejman Delvinën. Kjo qeveri pati një ministër të Brendshëm, i cili në zbatim të vendimeve të këtij Kongresi e bëri Shqipërinë me kryeqytet Tiranën. Bëri të mundur që qeveria të instalohej në Tiranë, aty ku duhej të instalohej, pasi shpalli Tiranën kryeqytet. Kjo qeveri shpalli se do të çonte vendin drejt zgjedhjeve. Kjo qeveri nxori vendimet për prerjen e monedhës së parë. Ky është 21 janari për shqiptarët, tha Kryeministri. Duke u rikthyer sërish te ngjarjet e vitit të kaluar, ai tha se në atë situatë u tentua që të zëvendësohej një qeveri legjitime, e dalë nga zgjedhjet e vitit 2009 me një juntë të një grupi njerëzish që kërkonin mandatin e dytë, duke nënkuptuar Presidentin Bamir Topi dhe kryeprokuroren Ina Rama. 21 janari i vitit të kaluar sigurisht që nuk mund të eklipsojë me asgjë këtë ditë, këtë ngjarje të madhe të historisë sonë kombëtare. Por si një ngjarje e cila synoi të përmbysë një qeveri legjitime me dhunë, si një ngjarje e cila në një akt të pandodhur tetë dekadat e fundit u përpoq të instalonte një juntë të një grushti njerëzish që donin mandatet e dyta ti kishin bazuar mbi dhunën, është një ngjarje e shëmtuar, tha më tej kreu i qeverisë.

Mesazhi i Berishës për Ramën më 23 janar 2011
Dy ditë pas ngjarjes së dhunshme të 21 janarit, Kryeministri iu drejtua mediave nga mbledhja e kabinetit qeveritar dhe më vonë nga foltorja e Parlamentit. Më 23 janar ai paralajmëroi kreun e opozitës, se nëse do ta përsërisë sërish këtë demonstratë në ato përmasa që ajo mori, do të marrë një ndëshkim ekzemplar, siç e quajti Berisha. Çdo tentativë e tij për dhunë ndaj institucioneve do të marrë ndëshkimin ekzemplar dhe askush tjetër përveç atij. Ky nuk është një kërcënim. Unë nuk kërcënoj njeri, por unë nuk jam kurrë ai që hedh gurin dhe fsheh dorën. Kjo është jashtë çdo lloj morali tim. Tentove më, të rrethosh Kryeministrinë, do të gjesh vetëm atë që meriton banditi që të rrethon. Nuk do të merrem në mënyrë absolute me asnjë njeri tjetër. Paraprakisht ju them se cilido tjetër është i amnistuar, përveç atij.

Komisioni hetimor për 21 janarin
Më 23 janar, Parlamenti ngriti një komision hetimor, me objekt hetimin e veprimtarisë së institucioneve shtetërore për zbulimin, identifikimin, përballimin, neutralizimin, pengimin dhe ndëshkimin e veprimit të organizuar kriminal për dhunimin e institucioneve dhe përmbysjen e rendit kushtetues në datën 21 janar 2011. Komisioni, gjatë vitit të kaluar zhvilloi seanca me drejtuesit e Policisë, Gardës, prokuroren e Përgjithshme, ndërkohë që nuk u paraqitën Presidenti dhe SHISH. Në fund të vitit të kaluar, afati i komisionit u shty edhe për një vit tjetër.

Rama: Kërcënimet e Saliut, si Mubaraku

Kreu i Partisë Socialiste i përgjigjet në Twitter Kryeministrit Berisha për ngjarjen e 21 janarit

Sulejman Delvina do ndiente neveri po ta dëgjonte si u keqpërdor

Kreu i PS, Rama

Kreu socialist, Edi Rama, e krahasoi dje Kryeministrin Berisha me ish-presidentin egjiptian, Hosni Mubarak.
Pas deklaratave të Berishës në mbledhjen e Grupit Parlamentar demokrat për përkujtimin që PS-ja do ti bëjë 21 janarit dhe viktimave të tij, Rama në adresën e tij në rrjetin social Twitter u shpreh se deklaratat e Kryeministrit i ngjajnë të fortëve mbi karrige.
Kurse unë i them Saliut: Kërcënimet e tua më kujtojnë mikun tënd të madh Hosni Mubarak dhe tërë historitë e sojit të të fortëve mbi karrige!, u shpreh Rama në Twitter. Duke iu përgjigjur dhe deklaratave të kreut të maxhorancës se në 21 janar qeveria kujton vetëm Kongresin e Lushnjës, që hodhi themelet e shtetit shqiptar, Rama shprehet se sa për 21 janarin e Sulejman Delvinës, ai do ndjente neveri po ta dëgjonte si iu keqpërdor sot emri nga qeveria që vrau protestuesit! Por kryesocialisti iu përgjigj të gjitha argumenteve të kreut të maxhorancës gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar demokrat. Sipas tij, qeveria duhet larguar jo veç pse modeli i saj ka dështuar, po dhe pse dështimin e quan sukses të madh, botëror madje! Tallje e madhe e turpshme, shprehet Rama, duke iu referuar

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›