100-vjetori i pavarësisë, Berisha: Erdhëm në këtë ditë sepse qëndruam të gjithë bashkë
Kuvendi i Shqipërisë ka mbledhur sot deputetë nga të gjitha viset shqiptare, për të hapur zyrtarisht festimet e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Në seancën e posaçme, fjalën e hapjes e ka mbajtur vetë kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Jemi mbledhur sot për të celebruar ditëlindjen e madhe kombëtare. Ne këtë vit nderojmë të lirë ngritjen e flamurit të finalizuar në Vlorë. Në historinë tonë kombi ka festuar ditëlindjen dy herë, e para në 1444 dhe 1912 për të mbërritur në pavarësinë e Kosovës. Ideali dhe qëllimi i shenjtë i Skënderbeut ishte bashkimi i shqiptarëve, tha Topalli.
Ndërsa kryeministri Berisha u shpreh se hapja e festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar vjen pikërisht në ditën e vdekjes së Skënderbeut.
Skënderbeu do të nderohet si ndër prijësit e historisë së qytetërimit botëror, si strategu që mbrojti vlerat e shqiptarëve kur shembeshin njëra pas tjetrës shtete e perandori. Dita e sotme është një nga ditët më të shënuara në historinë e parlamentit të kombit shqiptar, sepse në këtë sallë janë mbledhur deputetë shqiptarë nga të gjitha viset e kombit, të zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve shqiptarë. Ky është nderimi më i madh ndaj të gjithë atyre që flijuan jetën e tyre për këtë ditë.
Berisha theksoi se shqiptarët qëndruan të bashkuar gjatë stuhive të historisë dhe kjo bëri që kombi të mbijetonte në shekuj.
Një komb, një qëndrim. Asgjë nuk mund të ndajë dhe të copëtojë shpirtin e një kombi. Ne vijmë sot të lirë në këtë sallë, sepse qëndruam së bashku, sepse gjatë një shekulli i faktuam mbarë botës se për shqiptarët liria nuk ka çmim, tha ai.
100-vjetori i Pavarësisë, Kuvendi hap festimet me një seancë speciale
Aktivitetet me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar u çelën sot nga Kuvendi i Shqipërisë me anë të një seance të veçantë, kur morën pjesë përveç deputetëve të tij, edhe deputetë shqiptarë të Parlamentit të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi.
Atmosfera festive është ndier edhe jashtë ambienteve të Kuvendit, ku u zhvillua një koncert me motive folklorike.