Bllokohet pakti PD-PS, maxhoranca me 69 vota në Kuvend

Dje në Kuvend
Parlamenti miraton pa konsensus kalendarin trejavor. Mungojnë Berisha, Naço, Vokshi, Xheka, Idrizi e Tavo
Islami voton pro kalendarit për ligjet me 84 vota, opozita kundër
Seanca e parë e Parlamentit ka ndarë dje maxhorancën dhe opozitën në votimin e kalendarit të punimeve trijavore. Pas përplasjes në Konferencën e Kryetarëve, krisja e paktit PD-PS ka vazhduar të reflektohet edhe në sallën e Kuvendit, ku maxhoranca miratoi e vetme me 69 vota pro dhe 56 vota kundër të opozitës, që kundërshtoi kalendarin e punimeve në të cilën janë vendosur ligjet që kërkojnë 84 vota. E djathta për herë të parë ka humbur shumicën e saj, duke zbritur në 69 vota në Parlament, ndërsa opozita ka humbur dy vota atë të Kastriot Islamit që votoi pro dhe Vangjel Dules që abstenoi gjatë votimit. Në seancën e parë të sesionit të ri parlamentar ka rënë në sy mungesa e Kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit Nasip Naço dhe deputetet Albana Vokshi, Mehmet Xheka, gjithashtu aleati i maxhorancës, kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe nënkryetarit të Kuvendit, Vangjel Tavo.
Debatet
Sesioni i ri parlamentar është shoqëruar me debate për miratimin e njëanshëm të kalendarit të punimeve dhe futjes në të të ligjeve me 3/5-tat, si Kodi Penal, Kodi Civil dhe Gjykata Administrative. Kryetari i Grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, deklaroi se opozita nuk do ta prishë marrëveshjen të cilën, sipas tij, e ka nënshkruar me shqiptarët dhe jo me maxhorancën. Ne duam një reformë zgjedhore që të adresojë domosdoshmërinë e rishikimit të sistemit, me prekje apo pa prekje të Kushtetutës, në funksion të një demokracie më përfaqësuese të mozaikut politik të vendit, theksoi Ruçi. Nga ana tjetër, kreu i Grupit të PD-së, Astrit Patozi, kërkoi nga opozita që të zbatojë marrëveshjen, në mënyrë që 100-vjetori i shtetit shqiptar të festohet me marrjen e statusit të vendit kandidat.
Presidenti
Zgjedhja e Presidentit të ri ka qenë dje një ndër pikat e forta të debatit. Është fryma e Kushtetutës ajo që kërkon një President që të përfaqësojë unitetin e popullit dhe jo unitetin e një partie, pohoi Ruçi. Por, për maxhorancën zgjedhja është e qartë në përputhje me Kushtetutën. Astrit Patozi iu referua zgjedhjes së Bamir Topit për të thënë se mungesa e 84 votave në raundet e para ka bërë që ato të ishin të vlefshme. Patozi e ka cilësuar si qesharak komisionin e ngritur nga PS-ja për zgjedhjen e figurës së kreut të shtetit, duke e quajtur si audicion televiziv.
Festimet
Parlamenti çel sot zyrtarisht festimet për 100-vjetorin e pavarësisë së kombit shqiptar. Salla e Kuvendit të Shqipërisë, në orën 11:00, do të organizojë ceremoninë solemne në të cilën do të marrë pjesë, Kryeministri Sali Berisha dhe të ftuar nga Kuvendi i Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Në sheshin para godinës së seancave do të ketë performanca të grupeve nga krahina të ndryshme të vendit dhe banda muzikore.
Deputeti i përjashtuar nga Partia Socialiste
Kastriot Islami ulet afër grupit të LSI-së dhe PDIU-sëKastriot Islami
Pas çregjistrimit nga Grupi i Parlamentar i Partisë Socialiste, Kastriot Islami ndryshon dhe pozicionin në Kuvend. Gjatë mbledhjes së parë të sesionit të ri parlamentar, deputeti i përjashtuar, Kastriot Islami, është ulur në një karrige të re, në tryezën e Parlamentit dhe kësaj radhe afër deputetit të Partisë Drejtësi dhe Unitet, Dashamir Tahirit dhe një tavolinë mbrapa grupit të LSI-së. Deputeti i pavarur ka marrë pjesë në votimin e djeshëm dhe ka votuar pro kalendarit të punimeve trijavore të Parlamentit, ndërkohë që opozita ka votuar në bllok kundër përfshirjes në axhendë të ligjeve me tri të pestat. I pyetur nga Panorama, Islami pohoi se vota e tij pro është për reformat që do ti mundësojnë Shqipërisë marrjen e statusit të vendit kandidat. Ndërkaq, Islami ka lëshuar dhe një deklaratë në rrjetin e tij social Facebook, ku i kërkon klasës politike të shmanget nga retorika dhe të votojë reformat integruese të vendit. Marrja e statusit të vendit kandidat për në BE nga Shqipëria duhet të jetë kryefjala me rastin e fillimit të këtij sesioni. Kjo periudhe duhet të ketë çdo ditë, çdo javë, çdo muaj progres lidhur me realizimin e 12 rekomandimeve të KE-së. Nuk ka më asnjë minutë për të humbur, thekson Islami. Më tej, deputeti i përjashtuar pohoi se reformat kyçe, si ajo zgjedhore dhe ajo parlamentare, nuk duhet të lidhen me debate politike, siç është zgjedhja e Presidentit të ri.
Topalli: Rinumërim të legjislaturave të Kuvendit
Me rastin e 100-vjetorit të shtetit shqiptar, kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka propozuar dje një rinumërim të legjislaturave të Kuvendit. Topalli, gjatë fjalës hapëse të sesionit të ri parlamentar propozoi që numërimi i legjislaturave të bëhet ose nga viti 1920 ose nga viti 1990, duke hequr në këtë mënyrë vitet e Kuvendit në kohën e regjimit totalitar. Sot, në këtë vit të 100-vjetorit, ju propozoj që numërimin e ligjeve ta fillojmë me ligjin nr 1, janar 2012. Sot, në 100-vjetorin e ngritjes së flamurit, po ashtu ju propozoj të korrigjojmë numërimin e legjislaturave, duke filluar nga parlamenti i parë shqiptar i 1920, apo nga 1990, po të doni; duke korrigjuar fillimin e rrënjshëm të numërimit të tyre, deklaroi Topalli.
FATION BINJAKU
