Ambasadorja çeke vdes në mënyrë të beftë, autopsia: Shkak arresti kardiak
Tiranë Marketa Fialkova, ambasadorja e Çekisë në vendin tonë, ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur, në rezidencën e saj në Tiranë. Ambasadorja 55-vjeçare, që ndodhej në Shqipëri që prej vitit 2007-s, ka humbur jetën si pasojë e një ataku të menjëhershëm kardiak, teksa ndodhej me miqtë e saj në ambientet e rezidencës së ambasadës çeke. Sipas policisë, njoftimi është dhënë në sallën operative rreth orës 00:20 të ditës së djeshme, ku njoftohej se ambasadorja Marketa Fialkova ka ndërruar jetë. Një grup ekspertësh të policisë kanë mbërritur menjëherë në ambientet e rezidencës që ndodhet në rrugën “Grigor Heba”, në bllokun e ambasadave, ku kanë kryer veprimet e para procedurale. Ekspertët kanë kryer këqyrjen e kufomës si dhe kanë marrë dëshmitë e punonjësve të ambasadës çeke dhe miqve të së ndjerës. Atë kanë treguar se 55-vjeçarja Marketa Fialkova ka qenë duke biseduar me ta, në ambientet e ambasadës, kur papritur ka humbur ndjenjat. Goditja në zemër ka qenë e menjëhershme, pasi ambasadorja ka ndërruar jetë në mënyrë të shpejtë. Stafi i ambasadës dhe miqtë e së ndjerës kanë treguar se ambasadorja prej kohësh kishte probleme shëndetësore, kryesisht të natyrës kardio-vaskulare. Shqetësimet e vazhdueshme shëndetësore ua kishte bërë me dije edhe bashkëpunëtorëve të saj, të cilët i kanë këshilluar të kryejë një vizitë mjekësore. Sipas dëshmive të tyre, rezulton se dy ditë më parë ambasadorja Fialkova ka kryer një vizitë mjekësore në një prej klinikave private në kryeqytet, ku ka konstatuar problemet shëndetësore në zemër. Miqtë e të ndjerës kanë treguar për policinë se ajo ishte këshilluar nga mjekët të shtrohej për disa ditë në spital, për të mbajtur nën kontroll problemet me zemrën. Ambasadorja ka refuzuar të qëndrojë në spital dhe ka zgjedhur të kujdeset me mjekime ambulatore. Policia e kryeqytetit, në bashkëpunim me ekspertë të Policisë së Shtetit dhe ata mjeko-ligjorë, kanë hartuar një dosje të plotë për ngjarjen, të cilën më pas e kanë përcjellë për verifikime të mëtejshme në Prokurorinë e Tiranës. Po dje, ekspertët e mjekësisë ligjore kanë kryer autopsinë për të përcaktuar shkakun e vdekjes së diplomates 55-vjeçare, i cili rezulton të jetë arresti kardiak ose pushimi i menjëhershëm i zemrës. Sipas ekspertëve, ambasadorja çeke ka vuajtur nga sëmundja e cerozës në mëlçi, e cila ka shkaktuar dëmtime në sistemin imunitar dhe zemër, duke e bërë të predispozuar ndaj sëmundjeve të zemrës. Ngjarja, sipas hetimeve të deritanishme, është klasifikuar si vdekje natyrale, çka do të thotë mbylljen e çështjes për vdekjen e ambasadores së Republikës Çeke në Shqipëri. Marketa Fialkova është lindur më 27 mars të vitit 1956 në Pragë, ndërsa prej vitit 2007 ishte emëruar si ambasadore fuqiplotë e Çekisë në Shqipëri. Karriera diplomatike e Marketa Fialkovës ka nisur në vitin 1990, kur është emëruar ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Republikës Çeke në Poloni. Në vitin 1994 Fialkova është dekoruar nga ish-Presidenti i Republikës Polake, Lech Walesa, për kontributin e saj në lidhje me marrëdhëniet midis Polonisë dhe Republikës Çeke, me Kryqin e Kalorëses së Nderit të Republikës së Polonisë. Që prej muajt shtator të vitit 2007, Marketa Fialkova është emëruar ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Republikës Çeke në Republikën e Shqipërisë. 55-vjeçarja, sipas CV-së së saj në faqen zyrtare të ambasadës çeke, ishte e divorcuar dhe nuk kishte fëmijë.
Berisha ngushëllon Kryeministrin çek
Me anë të një telegrami, kryeministri Sali Berisha i shprehu ngushëllimet kryeministrit të Çekisë, zotit Petr Nečas, për ndarjen nga jeta të ambasadores Marketa Fialkova. "Me hidhërim të thellë mora vesh lajmin për ndarjen e papritur nga jeta të Znj. Marketa Fialkova”- thuhet në telegramin e ngushëllimit. Kryeministri u shpreh se ambasadorja punoi me përkushtim, duke dhënë një kontribut të çmuar për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe dy popujve tanë.
Haxhinasto: Kontribut
të vyer në Shqipëri
Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, pas lajmit për ndarjen nga jeta të ambasadores Fialkova, i shprehu ngushëllimet homologut të tij çek Shvarcenberg. "Ambasadorja Fialkova ishte një diplomate e nivelit te lartë, e cila ka dhënë kontribut në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve", - thuhet në mesazhin e ngushëllimit. Haxhinasto i ka shprehur ngushëllimet edhe të afërmve dhe familjarëve të ambasadores.
Topalli: Fialkova, luftëtare
e të drejtave të njeriut
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ka shprehur ngushëllimet e saj më të sinqerta për ndarjen nga jeta të ambasadores çeke në Tiranë, Marketa Fialkova. “Marketa Fialkova ishte një personalitet që u shqua për aktivitetin e saj politik në lëvizjen antikomuniste të viteve ’90 në vendin e saj, një luftëtare e të drejtave të njeriut dhe një mbështetëse e vendosur për zbardhjen e padrejtësive ndaj të persekutuarve nga regjimi komunist”, - thotë Topalli në ngushëllimin e saj.
Curriculum Vitae
Nga marsi 1990 deri tani: Diplomate e Ministrisë së Jashtme të Republikës Çeke
Prill 1990 - mars 1994: Ambasadore në Poloni
Prill 1994 - janar 1995: Diplomate në Departamentin e Analizës dhe Planifikimit
Shkurt 1995 - shkurt 1997: Sekretare personale e presidentit çek Vaclav Havel
Shkurt 1997 - shtator 2007: Diplomate, Departamenti i Analizës dhe Planifikimit
Shtator 2007 - deri tani: Ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë në Shqipëri
Ministria çeke: Fialkova vdiq nga një sëmundje e beftë
Vdekja e papritur e ambasadores çeke në Tiranë, Marketa Fialkova, është bërë e ditur në vendin e saj nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Vit Kolar. “Në moshën 55-vjeçare vdiq në Shqipëri ambasadorja Marketa Fialkova. Ishte një vdekje e beftë. Zonja ambasadore, përfundimisht nuk ndërroi jetë nga një vdekje e dhunshme. Vdekja e saj duket se është shkaktuar nga probleme të menjëhershme me shëndetin”, - bëri të ditur për mediat çeke zëdhënësi Kolar. Ambasadorja çeke njihet për aktivitetin e saj antikomunist dhe diskriminimin nga regjimi. Deri në rënien e komunizmit në Çeki, ajo ka punuar si kopshtare, shitëse. Viti 1990 do të shënonte fillimin e karrierës së Fialkovës si diplomate, fillimisht në Poloni, ku edhe u dekorua nga presidenti i kohës, Walesa. Në prill të vitit 1994 ajo u kthye në Pragë, ku fillimisht punoi në departamentin e Analizës në Ministrinë e Jashtme e më pas si sekretare personale e presidentit të njohur çek Vaclav Havel. Sipas mediave çeke, ambasadorja Fialkova ishte e divorcuar dhe banonte në mënyrë të alternuar në Tiranë dhe në Pragë.