E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërmjetësi i kokainës për “Camorran”, mbërrin në Tiranë dosja nga SHBA

SHKRUAN: Habjon Hasani 25-08-2011 10:25

Autoritetet amerikane kanë sjellë në Tiranë dosjen me të gjitha të dhënat hetimore të Altin Kores, biznesmenit shqiptar që u hetua në Teksas për trafik ndërkombëtar kokaine. I akuzuari si ndërmjetës i një pazari të rëndësishëm droge mes karteleve meksikane dhe organizatës italiane “Camorra” kërkohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u përballur me drejtësinë. Dosja e mbërritur nga Shtetet e Bashkuara është një “skaner” i plotë i hetimit dhe provave të mbledhura nga hetuesit e antidrogës amerikane, por edhe kërkesa zyrtare për ekstradim, e cila duhet tashmë të kalojë në “filtrat” e drejtësisë shqiptare. Kjo dosje do t’i paraqitet gjykatës prej prokurorëve dhe më tej do të vendoset ekstradimi i Kores, i kërkuar me ngulm prej amerikanëve. Altin Kore, i arrestuar në Rinas me një urdhër-arrest të Interpol Uashingtonit, dyshohet se është pjesë e një grupi të madh trafikantësh, të cilët furnizonin mafian italiane me kokainën e karteleve meksikane. Hetimi i agjentëve të DEA-s ka përfunduar në verën e vitit 2009, kohë kur 35-vjeçari Kore u shpëtoi prangave, duke u kthyer në Shqipëri. Gazeta “The Guardian” ka raportuar mbi këtë organizatë të drogës, të stacionuar në Dallas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët shërbenin si ndërmjetës të trafikut të kokainës nga Meksika në Itali dhe Spanjë. Sipas dosjes së hetuar nga agjentët amerikanë, trafikantët meksikanë të drogës furnizonin me kokainë mafian italiane, përmes ngarkesave që kalonin nga Dallasi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku edhe banonte Altin Kore. Sipas dosjes së plotë, që hetuesit amerikanë kanë sjellë në Shqipëri, mësohet se mbi Koren rëndojnë një sërë akuzash, duke nisur që nga “bashkëpunim me synim shpërndarjen e kokainës”, “zotërim i një arme zjarri, në vijim të një krimi për trafikim lëndësh narkotike”. Në bazë të hetimeve të kryera në Dallas, ka rezultuar se midis periudhës janar 2007 dhe 14 gusht 2008, në Distriktet Lindore dhe Veriore të Teksasit, Altin Kore ishte anëtar i një organizate droge që shpërndante sasi kokaine në shumë kilogramë. Hetimet tregojnë se Kore ishte një prej drejtuesve të organizatës, që lehtësonte marrjen e kokainës nga kartelet meksikane, për ta transportuar dhe shpërndarë atë. Më 4 maj 2008 Kore kërkoi 3 kg kokainë nga një burim furnizimi. Kokaina u trafikua në SHBA nga Meksika në SHBA dhe u shpërnda në Dallas, Teksas dhe Indiana. Për më tepër, një sasi lëndësh narkotike u dërguan në Shqipëri dhe Itali. Organizata e drogës fshihte lëndët narkotike në qirinj aromatizues, që dërgoheshin me anije në Europë, në kontenierë ngarkesash. Hetimet tregojnë se në total Kore është përgjegjës për 20 deri në 25 kg kokainë të trafikuar. Gjithnjë sipas hetimeve të kryera në SHBA, rezulton se Kore bashkëpunonte me kartelet e drogës në Meksikë, por edhe me pjesëtarë të “Camorra”-s italiane, në mënyrë që droga të trafikohej dhe në Europë. Në rast se Altin Kore shpallet fajtor për akuzat e ngritura, ai rrezikon burgimin e përjetshëm.

Biznesmeni i Bllokut u arrestua në Rinas

Biznesmeni i Bllokut, Altin Kore, u arrestua në Rinas, pak minuta pasi zbriti nga një charter. 35-vjeçari i kërkuar në SHBA po kthehej nga pushimet verore në Antalia të Turqisë, kur ka ndjerë shtrëngimin e prangave në duart e tij. Arrestimi i tij u bë pas mbërritjes së një urdhër-arresti nga Interpol Uashingtoni, përmes së cilit Kore akuzohet për trafik droge në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe pse kërkohej që prej 3 marsit nga Shtetet e Bashkuara, urdhër-arresti për Koren është aktivizuar në sistemin TIMS vetëm më 15 qershor 2011, kohë kur 35-vjeçari ndodhej jashtë Shqipërisë. Pak ditë më vonë ai u arrestua, ndërsa gjykata e ka lënë në burg me afat, në pritje të dosjes nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›