E Hënë, 2 Nëntor 2026

Minatorët ende pa marrëveshje, kërcënojnë me grevë urie

Ata kanë lënë si afat orën 14.00 të ditës së sotme për të mësuar se çfarë do të bëhet me ta, në të kundërt do të rinisin grevën e urisë

BULQIZE Ka kaluar pa asnjë marrëveshje mes palëve edhe dita e djeshme në minierën e Bulqizës. Ashtu si edhe dy ditët e shkuara, minatorët i janë drejtuar që në orët e para të mëngjesit të sotëm ambienteve të ACR-së për të zhvilluar protestën e tyre. Ndërkaq minatorët kanë deklaruar se do të presin deri në orën 14:00 të ditës së sotme për një marrëveshje ku të pranohen kërkesat e tyre dhe, nëse kjo nuk do të ndodhë, atëherë do të rinisë greva e urisë. Ata kanë qenë të shoqëruar nga kreu i Sindikatës së Minatorëve, Taf Koleci, ndërkohë që kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikollaj, mësohet se ka zhvilluar një takim në Ministrinë e Punës, detajet e të cilit nuk janë dhënë.

Minatorët kanë qëndruar sot deri në orën 15:00 në ambientet e ACR, duke pritur një reagim nga kompania, administratori i së cilës u kthye një ditë më parë në Austri.

Ata mbeten të vendosur në kërkesat e tyre për investim në minierën e Bulqizës, rritje të pagës në nivelin 20-40%, si dhe përmirësim të kushteve të punës.

Protesta e djeshme

As kompania koncesionare dhe as strukturat shtetërore nuk prononcohen në lidhje me zgjidhjen e kërkesave ekonomike të 700 minatorëve të Bulqizës. Dje ata kanë lënë shtëpitë e tyre dhe janë tubuar në mjediset e ACR-së. Ndryshe nga ditët e tjera nuk janë takuar me përfaqësues të ACR-së. Nuk kanë mbajtur as fjalime. As policia nuk ka patur shumë punë. Gjithçka dje në Bulqizë ishte e vakët. Minatorët qëndronin në diellin përvëlues, ndërkohë nuk bëhet fjalë për të nisur puna në minierë. Përfaqësuesit e ACR-së nuk janë dukur askund. Madje u tha se Giga Bedineishvili ka udhëtuar jashtë vendit. Burime pranë këshillit sindikal të minatorëve pohuan se presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj, është takuar me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punës dhe ka kërkuar ndihmën e qeverisë shqiptare për zgjidhjen e kërkesave të minatorëve dhe rikthimin e tyre në punë. Burime të besueshme shtojnë se kjo çështje do të jetë objekt diskutimi në Këshillin e Ministrave dhe se kryeministri Berisha ka kërkuar informacion të detajuar në lidhje me konfliktin e krijuar mes 700 minatorëve të Bulqizës dhe firmës austriake Albanian Krom. Nga ana e tyre minatorët nuk janë shprehur se do të hyjnë përsëri në grevë urie, por kanë deklaruar se mund ta shtyjnë protestën në këtë mënyrë deri në dy vjet, deri atëherë kur të gjitha kërkesat të jenë plotësuar, madje deri atëherë kur të jenë paguar të gjitha ditët e protestës.

P. HASA

Vonesa e pagave, punonjësit e firmës në protestë

Për më shumë se gjashtë orë, dhjetëra punonjës të firmave nënkontraktore të autostradës Levan-Tepelenë kanë bllokuar punimet në kilometrin 30 dhe 34 të kësaj autostrade. Ata jo vetëm që nuk kanë pranuar të fillojnë punën, por nga ana tjetër, kanë përdorur mjete të tonazhit të rëndë për të bllokuar dhe lëvizjet e mjeteve punuese në këtë pjesë rruge, në vendin e quajtur Fusha e Pocemit. Punonjësit grevistë e kanë quajtur këtë protestë të ligjshme, pasi sipas tyre kishin shfrytëzuar gjithë mekanizmat e tjerë për të përfituar pagesat e prapambetura. Sipas punonjësve, prej dhjetë muajsh, ata nuk janë shlyer nga firmat për të cilat ata janë kontraktuar, si drejtues automjetesh të tonazheve të rënda, në ndërtimin e aksit rrugor Levan-Damës-Tepelenë. Përballë situatës së krijuar, në vendngjarje kanë mbërritur edhe forca të policisë së komisariatit Mallakastër. Por uniformat blu nuk kanë ndërhyrë. Ata kanë mbajtur nënë vëzhgim situatën, duke patur gjithçka nën kontroll. Por as punonjësit vetë nuk janë konfrontuar me askënd. Përballë mjeteve të tyre, të vendosura në rresht në rrugë, protestuesit u kanë kërkuar lekët për vëllimin e punës së kryer. “Ne nuk do të rifillojmë punë. Kemi dhjetë muaj që marrim të njëjtën përgjigje, për shlyerje të pagesës sonë. Premtime që na kanë çuar deri në këtë situatë. Kemi paguar gjithçka në shërbimin e automjeteve, kemi paguar naftën e harxhuar, defektet etj., dhe nuk kemi marrë lekët, jo vetëm për këto lloj shërbimesh, por as rrogën mujore. Në këto kushte vendosëm të protestojmë dhe bllokojmë punimet. Nëse nuk shlyhemi, në këtë pjesë rruge ne nuk do të lejojmë vazhdimësinë e punimeve. Deklarojmë se vetëm pagesa na heq nga kjo protestë”, kanë deklaruar punonjësit

Përfaqësues të firmave nënkontraktore janë përpjekur që të bindin protestuesit të rifillojnë punën me premtimin se do të marrin rogat e prapambetura. Por fjalët dhe premtimet e tyre nuk janë marrë parasysh nga këta të fundit. Janë më shumë se 150 punonjës që nuk kanë marrë të hollat e tyre. Kjo nuk është hera e parë që punonjës të firmave nënkontraktuese në autostradën Levan-Tepelenë ngrihen në protesta për shkak të vonesave në shlyerje të detyrimeve ndaj tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›