Goditet rrjeti i drogës, kapen 1.2 kg heroinë dhe 19 mijë euro
Policia e Tiranës ka prangosur dy të rinj, të cilët akuzohen se furnizonin me heroinë zonat më të frekuentuara të Tiranë. Dy të tjerë shpallen në kërkim
Shkatërrohet një prej rrjeteve më të rëndësishme të shpërndarjes së drogës në kryeqytet. Sektori i antidrogës në policinë e Tiranës arrestoi dje në flagrancë 27 -vjeçarin Besnik Mitrovica dhe 32 -vjeçarin Lorenc Taranai, në automjetin me të cilin po lëviznin. Në bagazhin e makinës së tyre policia e Tiranës sekuestroi 1 kilogram e 200 gramë heroinë. Në një njoftim zyrtar, policia tha për mediat se dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërsa grupi në fjalë ishte prej më shumë se dy muajsh nën vëzhgimin e rreptë të agjentëve të antidrogës. “Në kuadër të operacionit policor të koduar ‘Braka’, specialistët kundër lëndëve narkotike arritën në sekuestrimin e një sasie prej 1 kg 200 gramë lëndë narkotike, e dyshuar heroinë, si dhe arrestimin në flagrancë të dy shtetasve si posedues dhe shpërndarës së saj. Më konkretisht, u mor masa e arrestit në flagrancë ndaj shtetasve: Besnik Mitrovica, 27 vjeç, banues në Tiranë; Lorenc Taranai, 32 vjeç, banues në Tiranë. Këta shtetas u kapën dje në mesditë, në rrugën dytësore të hyrjes së autostradës, me 1 kg e 200 gramë lëndë e dyshuar e llojit heroinë. Në sajë të një hetimi intensiv dymujor u arrit goditja në kohë e kësaj linje shpërndarje me shumicë dhe trafikimi në Tiranë, lëndë e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku automjetin tip “Golf ”, me targa të huaja si dhe shuma e parave prej 19 mijë euro, para të cilat dyshohen se janë përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme”, njoftoi dje zyrtarisht policia e Tiranës. Sipas hetimeve dhe të dhënave të mbledhura nga agjentët e antidrogës së kryeqytetit, dy të arrestuarit si dhe dy personat e tjerë të shpallur në kërkim ishin ndër “grosistët” e tregut të Tiranës me heroinë dhe rezultonin si burimi kryesor i furnitorëve që më pas ua shisnin shpërndarësve heroinën në kryeqytet. Burime policore bëjnë të ditur se grupi dyshohet se funksiononte prej disa vitesh dhe kishte mundur të konsolidonte kontaktet e duhura duke “pushtuar” thuajse të gjitha zonat e Tiranës me shpërndarjen e dorës së parë. “ Gjatë ecurisë së hetimit mbi këta shtetas, u konkludua se lënda narkotike vinte në Tiranë me synim shpërndarjen e saj në zona të ndryshme dhe kryesisht në zonën e fushën se Aviacionit, Stacioni i Trenit, Laprakës, Kamzës si dhe zonën e Bllokut në Tiranë. Ndaj shtetasve të sipërcituar u mor masa e arrestit në flagrancë për veprën penale “Prodhim, shitje të lëndëve narkotike”, në bashkëpunim, parashikuar respektivisht nga nenet 283/2 të Kodit Penal, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme”, njoftoi dje zyrtarisht policia e Tiranës. H.Hasani