E Diel, 1 Nëntor 2026

Faktet rrëzojnë Berishën, hetimi i BB-së nisi pas denoncimit të pedagoges shqiptare në Kanada

Katerina Koka ndoqi procedurën e denoncimit drejt Panelit të Inspektimit të Bankës. Zonja Koka u prek nga shkatërrimet në Jalë pasi familja e saj disponon prona në këtë fshat

Habjon Hasani

Tiranë - Faktet nuk çojnë ujë në mullirin e kryeministrit. Ndërsa dje, kreu i qeverisë, Sali Berisha, deklaroi se “hetimi i Bankës Botërore për Jalën është pjesë e luftës së klaneve brenda këtij institucioni”, dokumente zyrtare të Bankës flasin për një tjetër histori. Hetimi dhe investigimi i kësaj banke ka nisur dhe është shtrirë në harkun kohor prej një viti e gjysmë. Kësaj here qeverisë dhe ndërtimorëve u ka ngecur “sharra në gozhdë”, pasi prishën shtëpinë e familjes së një pedagogeje shqiptare në Kanada, të quajtur Katerina Koka, e cila, pasi ka ezauruar të gjitha ankesat në filialin e Bankës Botërore në Tiranë, më tej ka proceduar me denoncimin dhe kërkesën e saj për hetim drejt Panelit të Inspektimit të Bankës. Gjithë bazën dokumentare dhe ndjekjen e procedurës për këtë ankesë të bërë në emër të banorëve e ka udhëhequr pikërisht Katerina Koka, ndërsa mbi këto dokumente kanë firmosur të gjithë anëtarët e familjeve të prekura nga shkatërrimet në këtë fshat. Kërkesa e bërë nga banorët dhe e drejtuar nga Katerina Koka është marrë në dorëzim nga Paneli i Inspektimit të Bankës më 30 korrik 2007.
Pasojat
Dy muaj pas kësaj kërkese, në mëngjesin e 21 shtatorit të vitit 2007, në Rinas kanë zbritur tre përfaqësues të lartë të Panelit Inspektues të BB-së, që të tre persona me funksione “kyçe” në Bankën Botërore. Drejtoresha e Përgjithshme e Panelit, Uerner Kiene, së bashku me sekretaren Ekzekutive të Panelit, Dilek Barlas dhe ekspertin special, Eduardo Abbott (ish-drejtor i Panelit dhe një ekspert me shumë autoritet), vizituan Shqipërinë për të parë në terren zbatimin e projektit dhe për të vlerësuar qëndrueshmërinë dhe vërtetësinë e ankesave që kishin ardhur nga Shqipëria. Pasi janë njohur me pretendimet e përfaqësive të zonës së Jalës dhe asaj të Vlorës, tre përfaqësuesit e lartë kanë kontaktuar dhe ekipin e menaxhimit të projektit, për të dëgjuar dhe versionin e tyre. Kësisoj, pasi kanë inspektuar për katër ditë dhe pasi kanë arkivuar qëndrimet, argumentet dhe pozicionimet e të dyja palëve, ata kanë filluar hartimin e këtij raporti, që sot ndodhet në zyrën e Bordit drejtues të Bankës Botërore.
Vendimi
Pas vizitës së tyre, tre inspektorët vendosën hetimin e situatës në fshatin Jalë, ndërsa gjatë vizitës së tyre në Tiranë ata kanë shfaqur hapur dyshimet e tyre në lidhje me punonjësit e Bankës në Shqipëri gjatë takimit me gazetarët që kishin investiguar çështjen. Madje, nëse Bordi i drejtuesve të Bankës do ta miratojë këtë raport investigativ, i paraqitur në variantin përfundimtar në fund të vitit 2008, atëherë jo vetëm do të bllokohet automatikisht financimi i këtij projekti, por edhe disa drejtues të Bankës Botërore në Tiranë do të paguajnë pasojat, pasi ata janë gjetur fajtorë në tre raste. Sipas të dhënave, janë pesë punonjës të Bankës Botërore në Tiranë që kanë mbyllur sytë kundrejt padrejtësive që ndodhën në Jalë, duke shkelur rregullat e Bankës. Megjithatë, përgjegjësia themelore bie mbi zotin Jamarbër Malltezi, i cili ka urdhëruar direkt Policinë Ndërtimore, në cilësinë e koordinatorit të këtij projekti të Bankës.

4 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›