Olldashi hedh poshtë raportin investigativ të Bankës Botërore
Qeveria shqiptare nuk ka ndër mend të pranojë asnjë nga konkluzionet e raportit investigativ të përgatitur nga Paneli i Inspektimit në Bankën Botërore për çështjen e prishjes së ndërtimeve në Jalë. Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, e konsideron raportin e Panelit si jozyrtar dhe spekulativ, dhe deklaroi dje se qeveria është në pritje të vendimit që do të marrë Bordi i drejtorëve në mesin e muajit shkurt. “Ka pasur të gjithë asistencën e mundshme nga Ministria e Punëve Publike për të bërë një hetim të plotë, të pavarur, të thelluar dhe të gjithanshëm. Do të dal sërish për të dhënë vendimin e Bordit, që do të jetë i drejtë dhe jo mbi spekulimet”, - u shpreh Olldashi. Ministri deklaroi se nuk ka pranuar asnjë nga akuzat e bëra në raport nga Paneli i Inspektimit. “Nuk janë prishur shtëpi 300-vjeçare. Çdo person që i është prishur shtëpia nuk ka disponuar dokument në pronësi të tokës”, - u shpreh Olldashi. Raporti hedh dyshime se prishja e ndërtimeve në Jalë është bërë me qëllim që t’i hapë rrugën ndërtimit të një resorti turistik. “I kemi vënë Bankës të gjithë informacionin e nevojshëm. Nuk kemi ndër mend të ndërtojmë në Jalë asnjë resort turistik”, - u shpreh Olldashi. Si rrallëherë më parë qeveria e konsideron një raport të ardhur nga ndërkombëtarët si tendencioz dhe të paanshëm, duke e lidhur atë me prapavijë politike.
Konkluzionet e investigimit të Penalit të Inspektimit të Bankës Botërore
1. Paneli zbuloi se vendimi i fillimit për të mos zbatuar direktivën OP/BP 4.12 në fazën decizive të vlerësimit ishte zanafilla që shkaktoi përdorimin pa kujdes të menaxhimit në prishjet e Jalës. Kjo dhe dështimi i ruajtjes me kujdes të projektit përmes një marrëveshjeje me qeverinë për të ndërprerë prishjet në zonën e projektit shkaktuan konsekuenca për popullatën që prekej dhe për reputacionin e Bankës.
2. Bazuar në analizat e mëparshme, Paneli zbuloi që jo vetëm gjatë projektimit të projektit dhe vlerësimit të tij, por gjithashtu edhe gjatë implementimit të projektit, Banka falimentoi për të përmbushur detyrimin e OP/BP 4.12 të “Involuntary Resettlement”.
Në mendimin e Panelit, dështimi i ndjekjes së këtyre politikave e la Bankën në një situatë vunerable. Banka duhet të përdorte prishjet në Jalë për të riekzaminuar me qeverinë e Shqipërisë gjithë sjelljen e projektit me prishjet dhe ta konsideronte aplikimin e direktivës së Bankës për këtë projekt që në momentin që ky rregull parashikon vlerat bazike që Banka mund të përdorë në rastin e prishjeve për njerëzit që jetojnë në zonën e projektit.
3. Ky projekt, që përfshin komponentë të njohur që lidhen me prishjet në zonën e projektit, fshehën një risk kritik që mund të ishte mënjanuar me një supervizion adekuat. Paneli vëren që Banka dështoi në supervizimin e projektit, ashtu sikurse u kërkua nën politikat e Bankës.
4. Paneli gjithashtu konkludon se “Management Reponse” ishte veçanërisht jo e vlefshme dhe joinformative dhe në një konflikt total me informacionin faktik, i cili ishte i njohur prej kohësh prej “Management”... Prishjet në Jalë kanë ndodhur më shumë sesa një vit e gjysmë më parë. Dhe për sa di Paneli, asnjë veprim nuk është ndërmarrë për situatën e njerëzve të prekur atje. Paneli shpreson që ky raport do të asistojë Bankën të ndërmarrë veprimet e nevojshme me çështjet e ngritura gjatë këtij investigimi.
5. Policia e Ndërtimit i nisi shkatërrimet më 17 prill 2007, pavarësisht nga lutjet e pretenduesve dhe autoriteteve lokale për të ndërprerë veprimet deri pas mbylljes së çështjeve gjyqësore. Procesi i shkatërrimit shkaktoi skena të dhimbshme të rezistencës dhe kundërshtimit ndaj veprimeve të policisë. Policia e Ndërtimit i përfundoi shkatërrimet në pesë ditë.
6. Sipas personave që ndodheshin në atë kohë në Jalë, një zyrtar i Policisë së Ndërtimit tha: “Ju po qani tani, por mos u mërzisni, se më vonë do të hani me lugë të florinjtë, pasi ky është projekti i madh i Bankës Botërore. Ata do të investojnë këtu dhe do të kujdesen për ju”.
7. Është e rëndësishme të nënvizojmë që Njësia e Koordinimit të Projektit mori një letër me një kokë zyrtare të Zyrës së Financimit të projektit të Bankës dhe letra ishte firmosur nga kreu i kësaj njësie, në kapacitetin e tij si koordinator i projektit dhe atashuar me letrën ishin edhe fotografitë që ka financuar projekti.
8. Koordinatori i projektit (Jamarbër Malltezi, dhëndri i kryeministrit Sali Berisha), është i njohur në rrjetet administrative në Shqipëri. Ai është përshkruar shpesh në shtypin vendas për të dyja, edhe në rolin e tij si koordinator i projektit të Bankës, por edhe si një pjesëtar i familjes së një prej zyrtarëve më të lartë që drejton qeverinë në vend.
9. Në përgjigje të letrës së kreut të zyrës së Koordinimit të Projektit, vetëm dy javë më vonë, në 10 prill 2007, Policia Ndërtimore dërgoi një letër në adresë të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, te koordinatori i projektit dhe një te këshilltari i ministrit. Letra-përgjigje evidentonte një numër ndërtimesh pa leje të identifikuara nga një grup pune që ishte ngritur në Policinë Ndërtimore menjëherë pasi morën letrën e koordinatorit të Projektit. Kjo përfshinte 16 ndërtime pa leje në Jalë.
10. Në përgjigjen e vet, Policia Ndërtimore theksonte se kishte ndërmarrë të gjitha procedurat e nevojshme dhe vendimet për prishjen e këtyre ndërtimeve, dhe kjo u ishte komunikuar palëve respektive. Prishjet në Jalë u ndërmorën vetëm 7 ditë pas letrës që Policia Ndërtimore dërgoi në njësinë e menaxhimit të projektit.
4 Shkurt 2009