E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roja i çimentos: Nuk doja ta vrisja të riun

 

FUSHE- KRUJE/ Roja i fabrikës së çimentos në Fushë- Krujë rrëfeu në polici dje gjithë skemën e krimit të kryer prej tij. Në gjendje të rënduar psikologjike, Llesh Rica i pohoi grupit të hetimit se ai e kishte kryer vrasjen pa dashje. 20 vjeçari Abdyl Zalla pësoi dy plumba në bark, të cilat i prekën edhe organet jetësore, çka i shkaktuan edhe vdekjen gjatë rrugës për në spitalin ushtarak të Tiranës. “Në territorin e fabrikës kishin hyrë tre persona. Njëri prej tyre qëndronte në mur, ndërsa dy të tjerët së bashku me viktimën ishin futur brenda në territorin e fabrikës. Sapo konstatova praninë e tyre, iu bëra thirrje që të mos lëvizin. Por ata nuk u bindën. Duke parë që ata ishin tre dhe unë nuk mund t’i ndaloja, atëherë qëllova me armë me qëllim që të lajmëroja për ndihmë rojet e tjera” u shpreh pas arrestimit roja i fabrikës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›