E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA mbron Withers: Jo i përfshirë në biznes armësh

Departamenti i Shtetit mbron ambasadorin e SHBA-ve në Tiranë, por ndërkohë ka hapur një hetim lidhur me akuzat e kongresmenit Uaksman. 

Zëdhënësi Tom Casey, i pyetur dje intensivisht për bisedën mes Withers dhe Mediut, edhe pse nuk dha një përgjigje të saktë lidhur me aferën, nënvizoi se nuk ka të dhëna që ambasadori dhe zyrtarët janë të përfshirë në afera. Sipas tij, asnjë nga diplomatët në Tiranë nuk kanë lidhje financiare me biznese të tilla. Por, Casey, kërkoi vazhdimin e hetimeve, edhe pse, sipas tij, letra e kongresmentit amerikan, më parë ishte botuar në media, se sa kishte shkuar në Departament.
Henry Waxman i ka dërguar një letër tjetër Sekretares, kësaj radhe mbi një takim të ambasadorit të SHBA-ve në Shqipëri në lidhje me një hetim të kryer nga New York Times për Kinën, municionet e prodhuara në Kinë nga vitet ‘60-‘70 të dërguar në Afganistan.
A keni ju ndonjë koment të veçantë mbi këtë?
Në një farë mënyre, unë mendoj se do të duhet një lloj hetimi mbi shërbimet me e-mail ndërmjet atij Komiteti të veçantë dhe atij institucioni. Duket qartë se ka shumë letra që ia arrijnë të bien në duart e djemve tuaj, madje para se të mbërrijnë edhe tek ne. Këtë letër ne e kemi marrë vetëm një orë apo diçka më parë. Dhe sigurisht ne do ta shqyrtojmë dhe do t’i kthejmë një përgjigje të përshtatshme kryetarit. Ju sigurisht e dini që, ne i trajtojmë mjaft seriozisht deklaratat për Departamentin tonë apo zyrtarët dhe do të jemi të lumtur ta shikojmë me shumë kujdes edhe këtë çështje. Unë di se kryetari për koincidencë ka një seancë dëgjimore të planifikuar. Ne do të bëjmë më të mirën tonë për të siguruar se do t’i shqyrtojmë këto shqetësime dhe të sigurojmë një përgjigje. Unë nuk mund të flas për ndonjë gjë nga këto të shkruara në letra, apo edhe këto deklarata të pazakonta që janë bërë. Do të theksoj se John Withers, i cili është ambasadori ynë, dhe njerëzit e tjerë të përmendur në këtë çështje në mënyrë të veçantë, janë zyrtarë në karrierë të Shërbimeve me Jashtë. Ata sigurisht nuk janë individë që kanë ndonjë lidhje politike apo çështje për të shprehur, as nuk janë individë, të cilët kanë lidhje me biznesin. Nëse ju shikoni në llogaritë bankare të tyre dhe të pjesës më të madhe të zyrtarëve të Shërbimeve me Jashtë, nuk kanë ndonjë interes të veçantë biznesi me kompaninë e përfshirë. Unë di gjithashtu se ka nisur një hetim dhe besoj se Departamenti i Drejtësisë po bashkëpunon me Departamentin e Mbrojtjes mbi aktivitetin e kompanisë të përfshirë këtu. Dhe sigurisht, për sa kohë të vazhdojë, do t’ju drejtoja në Departamentin e Drejtësisë për statusin e këtij hetimi.
A e dini ju, thjesht në përgjithësi, nëse ai ka pasur vërtet një takim siç thuhet në letër me ministrin shqiptar të Mbrojtjes?
Unë nuk kam asnjë informacion që do ta vërtetonte këtë. Por sigurisht ju e dini, nëse kryetari i Komitetit e kërkon këtë informacion, ne patjetër do ta sigurojmë, se do ta gjejmë informacionin e kërkuar.
A është hera e parë që Uashingtoni, Departamenti këtu ka dëgjuar për këto deklarata apo a është në dyshim nëse ai e bëri këtë takim dhe ra dakord për të apo sugjeroi ndryshimin e markave dhe nuk e raportoi më pas këtë takim? A është kjo diçka që ai ka kërkuar në Departament në forma të tjera?
Përgjigjen e kësaj do t’ia lë njerëzve tanë të afërt. Unë nuk kam pasur as mundësinë të lexoj vetë personalisht letrën. Ajo që mund t’ju them, është me siguri se ne nuk kemi asnjë informacion që do të mbështeste variantin që zyrtarët e SHBA ishin përfshirë në ndonjë lloj aktiviteti të paligjshëm. Por me siguri, përsëri, çdo deklaratë e bërë, sigurisht çdo pyetje e ngritur nga kryetari i Komitetit në Kongres është diçka për të cilën ne do të jemi të lumtur ta shqyrtojmë.

Uidhers: Shqyrtimi i drejtë i fakteve do të çojë tek e vërteta

Ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers pritet të mbajë një qëndrim zyrtar në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij në letrën e bërë publike nga kongresmeni Ueksmen. Në një deklaratë për median Uidhers bën të ditur se së shpejti do t’i përgënjeshtrojë këto akuza të ngritura ndaj tij. “Ambasadori Uidhers është në dijeni të pretendimeve të paraqitura në letrën e 23 qershorit nga përfaqësuesi i Kongresit Henri Ueksmen drejtuar Sekretares së Shtetit Rajs. Ai po studion përmbajtjen e letrës dhe, sapo ta ketë mbaruar këtë, do të përgatisë një përgënjeshtrim të plotë të çfarëdo pretendimesh kundër Ambasadës së SHBA apo atij vetë”, thuhet në deklaratën e bërë publike. Më tej, theksohet se diplomati i lartë amerikan është shprehur së është për shqyrtimin e drejtë të fakteve. “Siç ka thënë publikisht shumë herë, ambasadori beson në mënyrë të palëkundshme që një shqyrtim i drejtë i fakteve do të çojë, në fund, tek e vërteta. Ai e përdor këtë parim në mënyrë të barabartë si ndaj vetes ashtu edhe ndaj të tjerëve, me dijen absolute që faktet mbi këtë çështje, të paraqitura plotësisht, do të shpërbëjnë cilindo dhe çdo pretendim të ngritur kundër tij, stafit të tij, apo qeverisë së tij”, thuhet në deklaratën për shtyp. Në letrën e publikuar nga ana e Ueksmenit, përfshihej edhe emri i ambasadorit amerikan në lidhje me tregtinë e armëve. Sipas Ueksmenit, ish-ministri Mediu dhe ambasadori Uidhers ishin në dijeni të municioneve kineze dhe miratuan fshehjen e origjinës së mallit, që do të tregtohej për në Afganistan. Në letër sipas dëshmisë së dhënë, ambasadori Uidhers ka pranuar që të zhduken provat në lidhje me sasinë e municioneve në të cilën figuronin se ishin të prodhimit kinez.

Ina Rama: Uidhers, jo i përfshirë

Kryeprokurorja Ina Rama shprehet se në hetimin e kryer deri më tani për Gërdecin nuk rezulton të jetë i përfshirë ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Xhon Uidhers. “Prokuroria e Përgjithshme nuk ka asnjë provë për dijeninë ose implikimin e ambasadorit amerikan Uidhers në trafikun e armëve nga Shqipëria drejt Afganistanit”, deklaroi kryeprokurorja pas raportimit në komisionin e Ligjeve. Pas arrestimit të presidentit të AEY, Efraim Diveroli, kryeprokurorja Ina Rama i kërkoi drejtësisë amerikane t’i vendosë në dispozicion materiale hetimore që mund të zbardhin hetimin për trafiqet e armëve nga Shqipëria, ku janë të implikuar dhe drejtues të dikasterit të mbrojtjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›