Amerika ndihmon trashëgiminë kulturore
Pas ceremonisë së nënshkrimit, që u zhvillua në MKRS, ministri Krasniqi falënderoi për ndihmën e dhënë nga Ambasada Amerikane dhe ofroi bashkëpunimin e Ministrisë, ashtu që këto projekte të përfundojnë sipas standardeve dhe brenda afateve të përcaktuara.
“Duke pasur parasysh se fusha e trashëgimisë kulturore është ndër prioritetet kryesore të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe duke pasur parasysh se nevojat për të investuar dhe për të adresuar gjithë këtë fushë janë të mëdha, më lejoni të them se ky është një donacion shumë i vlefshëm. Mbi të gjitha është një koordinim jashtëzakonisht i mirë ndërmjet Qeverisë së Kosovës, përmes MKRS, dhe Qeverisë Amerikane, përmes Ambasadës në Prishtinë, për trajtimin në mënyrën më të mirë dhe më profesionale të kësaj fushe, e cila definitivisht ka nevojë për një mbështetje shtesë”, theksoi mes tjerash ministri Krasniqi.
Ambasadori i SHBA’ve në Kosovë, Christopher Dell, ndërkaq theksoi se ndjehej i lumtur që është pjesë e një bashkëpunimi dhe ndihme që do të mbrojë trashëgiminë kulturore në Kosovë.
“Trashëgimia kulturore nuk është vetëm një pjesë e mirë e së kaluarës, por edhe pjesë e rëndësishme e së ardhmes. Kjo e bën Kosovën të jetë një vend edhe më i mirë se sa që është”, u shpreh Dell, derisa përkujtoi se diversiteti kulturor, fetar dhe etnik e bëjnë Kosovën një rast unik dhe shembull të mirë për shumë vende të tjera.
Ndryshe, memorandumi parasheh restaurimin e Kalasë së Vushtrrisë, Kishës së Shën Stefanit në Prizren, Kishës së Shën Nikollës në Hoqë të Madhe, Hidrocentralit të Vjetër në Prizren, Shtëpisë së Shehzadës në Prizren dhe digjitalizimin e freskave në Manastirin e Graçanicës. Afati i përafërt për përfundimin e këtyre restaurimeve llogaritet të jetë rreth një vit e gjysmë.