85 vjet të Monroe’s
Norma Jean Mortenson u lind më 1 qershor 1926, në një jetimore të Los Angeles, si fëmijë jashtëmartesor i Gladys Pearl Monroe. U rrit nëpër familje të ndryshme, sepse e ëma e saj kishte probleme serioze psikike.
Me 16 vjet martohet me James Doherty dhe fillon të punojë në një fabrikë parashutash, edhe pse pas pak kohësh burri i saj i parë niset për në luftë.
Derisa po punonte në fabrikë, Norma’n e vëren fotografi ushtarak, David Conver, dhe i propozon bashkëpunim. Norma së shpejti e ndërron pamjen: i shkurton flokët, i ngjyrosë në të verdhë, dhe fillon punën si manekine për kostume larjeje.
Pak më vonë shkurorëzohet, nënshkruan kontratën me studion filmike 20th Century Fox dhe merr emrin artistik Marilyn Monroe, sipas aktores Marilyn Miller - me të cilën e krahasonin shpesh. E dëshpëruar me fitimet, asokohe deklaron: “Në Hollywood të paguajnë 1000 dollarë për një puthje, e vetëm 50 cent për shpirt”.
Por, përkundër emrit dhe imazhit të saj të ri, depërtimi në botën e filmit s’ishte fare i lehtë. Fillimisht aktroi në filma me buxhet të ulët, të klasit B, dhe më së shpeshti “biondina të cekëta”. Shansi i parë iu dha në filmin e John Houston “Xhungla në Asfalt”, në vitin 1950. Pas tij erdhën filmat “Të Gjitha Për Evën”, “Mos u Mundo të Trokasësh” dhe komedia “Punë Majmunësh”. Pas martesës me yllin e bejsbollit Joe Di Maggio, pasuan filmat që do ta bëjnë të famshme: “Meshkujt i Duan Biondinat”, “Si të Martohesh me një Milioner”, Niagara” dhe “Lumi pa Kthim”.
Krahas suksesit, shfaqen edhe fotografitë e saj ‘të zhveshura’, të cilat derisa ende ishte e re i bëri fotografi Tom Kelly. Fotografitë e blen Hue Hefner, dhe në dhjetor 1953 i publikon në numrin e parë të revistës së tij ‘Playboy’. Derisa po i komentonte fotografitë, dhe kur u pyet nga gazetarët se çfarë veshç në shtrat, Monroe u përgjigj në mënyrë provokuese: “Chanel 5”’.
E, derisa po e xhironte skenën e njohur me fustan të ngritur, nga filmi “Shtatë Vite Besnikëri”, Di Maggio u përkujdes për nj skenë xhelozie, pas së cilës çifti u nda, ndonëse me Di Maggio’n mbetën miq deri në vdekje.
Marilyn Monroe nuk deshi që gjithmonë të njihet vetëm si një “biondinë e cekët”, prandaj regjistron shkollën e aktrimit tek Lee Strasberg, si pasojë e së cilës erdhi roli në filmin “Stacioni i Autobusëve” (1956), me të cilin u nominua për Golden Globe, megjithëse këtë shpërblim e merr tek në vitin 1959, për filmin “Disa Atë e Preferojnë të Nxehtë”. Asokohe njihet me shkrimtarin e njohur Arthur Miller, me të cilin martohet fshehurazi në vitin 1956. Martesa nga ‘gojëkëqijtë’ u quajt si një “bashkim i trurit dhe mishit”. Ndonëse dihej pak se Monroe nuk ishte fare “një biondinë e cekët”. Shkrimtarët e saj të preferuar ishin Dostojevski, Bernard Shaw e Salinger, ndërkohë që i pëlqente të dëgjonte Frank Sinatra’n apo edhe Mozzartin dhe Bethovenin. Për shkak se nuk arriti të mbes shtatzënë me Miller, Monroe ra në depresion të thellë dhe shpëtimin e kërkoi në drogë e alkool, gjë që shkaktoi përfundimin e martesës së saj të tretë.
Më 1961, Houston xhiron filmin “Të Paadaptuarit”, me skenar të Athur Miller, që ishte shkruar enkas për Monroe. Ky ishte filmi i fundit i Clark Gable, ngase menjëherë pas përfundimit të tij vdes nga sulmi në zemër.
Një vit më vonë Monroe fillon punën në filmin “Diçka Duhet Dhënë”, por xhirimet ndërpriten për shkak të vonesave të pandërprera të saj, sëmundjeve të Monroe’s dhe tekstit të harruar.
Marilyn Monroe u gjet e vdekur në shtëpinë e saj në Los Angeles, më 5 gusht 1962. Njoftimi zyrtar nënvizonte se shkak i vdekjes ishte doza e tepruar e hapave për gjumë, megjithëse shkaku mbeti mister, sepse ende shumëkush beson se ajo u vra nga CIA, për shkak të lidhjes së saj me ish-presidentin amerikan, John F. Kennedy.
Aferat
Asokohe Monroe, kriza e së cilës sa vinte thellohej, kishte një aferë të shkurtër me këngëtarin francez Ives Mountain, ndërkaq spekulohej se ishte në lidhje edhe me presidentin amerikan, John F. Kennedy, gjatë kremtimit të ditëlindjes së të cilit (në maj 1962), dukshëm e dehur, këndoi këngën “Gëzuar ditëlindjen president”.
Kennedy këtë gjë e komentoi me fjalët: “Pas një interpretimi kaq të këndshëm të këngës, lirisht mund ta braktisi politikën”.