E Diel, 1 Nëntor 2026

Amerika sot voton, zgjidhet dilema “Obama apo Mekein”



Pas afro dy vjetësh fushatë elektorale, mes shou-t dhe garës së ashpër, amerikanët do të marrin frymë të lehtësuar duke votuar për presidentin e ardhshëm. Dy kandidatët, ai demokrat Barak Obama dhe republikani Xhon Mekein, gjatë ditës së djeshme bënë përpjekjet e fundit në rajonet vendimtare me shpresën për të fituar votën e lëkundur. Obama u përqendrua në shtetin e Ohajos, vend ky që ka votuar për kandidatin fitues të zgjedhjeve që prej vitit 1964. Gjatë një tubimi në qytetin Kliveland, ai u shpreh optimist për të fituar: “Pas dekadash të një politike të ndarë në Uashington, pas tetë vjetësh politikash të dështuara nga Xhorxh W. Bush, pas 21 muajsh fushatë që na ka çuar nga bregdeti shkëmbor i Mejnit në Kaliforninë plot diell, ne jemi një ditë larg për t’i sjellë Amerikës ndryshimin”, - tha Obama. Rivali i tij republikan, Xhon Mekein, bëri fushatë në Pensilvani dhe Florida. Duke folur gjatë një tubimi në Pitersborou në Nju Hemshajër, ai u tha mbështetësve se ishte personi më me eksperiencë për të drejtuar vendin. “Unë i kuptoj shumë mirë përgjegjësitë e lidhura me pengesat e mëdha të kësaj detyre dhe i kam shërbyer vendit gjithë jetën time dhe gjithnjë e kam vënë atë të parin. Ndaj përsëri vij tek njerëzit në Nju Hemshajër, republikanët, të pavarurit, demokratët, vegjetarianët, tek të gjithë, për t’u kërkuar që të më lejojnë të vazhdoj një tjetër mision”, - tha Mekein. Nga sondazhet e zhvilluara në vigjilje të zgjedhjeve presidenciale, kandidati demokrat për Shtëpinë e Bardhë, Barak Obama, kryesonte ndaj rivalit Xhon Mekein në gjashtë shtete nga tetë gjithsej. Mes këtyre shteteve ku Obama ka triumfuar është edhe Ohajo dhe Florida. Kandidati demokrat ka rezultuar me 7 për qind më shumë vota se kandidati republikan. Të dhënat nga “Zogby” kanë treguar se Obama kryeson ndaj Mekeinit në Florida (2 pikë), Ohajo (6), Misuri (1), Virxhinia (6), Nevada (8) e Pensilvani (11). Kandidati republikan ndërkohë fitoi në Indiana (5 pikë) dhe në Karolinën e Veriut (1). Sipas këtij sondazhi, Obama ka 328 vota elektorale dhe për të mbërritur në Shtëpinë e Bardhë nevojiten vetëm 270 të tilla. Ndërkohë sipas sondazhit të “Gallup”, kandidati demokrat Obama është para me 11 pikë ndaj rivalit Mekein. Në këtë mënyrë, Obama ka kryesuar me 55 për qind, ndërsa Mekein ka marrë vetëm 44 për qind të votave.

Qeveria kosovare miraton projektbuxhetin, 1.4 miliardë euro për 2009-n

Qeveria e Kosovës ka miratuar dje buxhetin për vitin e ardhshëm. Në mbledhjen e saj të radhës, kabineti ministror miratoi projektbuxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2009 që është një miliard e 430 milionë euro, 15,4 për qind më të madh se vitin e kaluar. “Ky është buxheti i parë i plotë si qeveri me kompetenca të plota, është buxheti i parë i qeverisë së Republikës së Kosovës”, - tha në mbledhjen e qeverisë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. “Buxheti është paraqitur si vazhdim i kornizës afatmesme të shpenzimeve, që është dëshmuar e suksesshme edhe në konferencën e donatorëve për Kosovën që është mbajtur në korrik”, - shtoi ai. Kryeministri Thaçi, si edhe ministri i Ekonomisë dhe Financave Ahmet Shala, i cili e paraqiti me detaje projektbuxhetin, theksuan konsultimet e spektrit të gjerë dhe synimin që buxheti të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe me bazë të qëndrueshme për t’i hapur perspektivë realizimit të aspiratës për të qenë pjesë e institucioneve ndërkombëtare siç janë FMN-ja dhe BB-ja.

4 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›