Jap De Hop Shefer viziton sot Kosovën
Sekretari i Përgjithshëm i NAT0-s, Jap de Hop Shefer, ka udhëhequr Këshillin Veriatlantik gjatë një vizite që ka zhvilluar sot në Kosovë. Shefer do të takohet me kreun e trupave paqerajtëse, gjeneralin Xhuzepe Emiliuo Gaj (Giuseppe Emilio Gay), si dhe do të vizitojë trupat e KFOR-it. Sipas një njoftimi nga selia qendrore e KF0R-it në Prishtinë, mësohet se kreu i NAT0-s do të takohet edhe me autoritetet e Kosovës, përfaqësuesit e komunititeve pakicë dhe me ata ndërkombëtarë. Në fund të vizitës, Shefer në orët e mbrëmjes do të japë një konferencë për shtyp në Aeroportin e Prishtinës.
Shtohen masat e sigurisë në Mitrovicë
Autoritetet kosovare dhe ato ndërkombëtare kanë shtuar masat e sigurisë në veri të vendit për shkak të situatës të tensionuar. Komiteti për Sigurinë në Mitrovicë u njoftua për një shpërthim dhe të shtëna që kanë ndodhur para dy ditësh në këtë vend. Megjithatë, Komiteti për Sigurinë ka vlerësuar se situata është e qetë dhe nën kontroll. Incidentet janë shënuar të dielën në mbrëmje, në fshatin Zupc në Mitrovicë, ku është dëgjuar një shpërthim, ndërsa dje në mëngjes janë dëgjuar të shtëna nga drejtimi i Zveçanit. Komiteti për Sigurinë në Mitrovicë ka vlerësuar se këto incidente nuk kanë lidhje me ngjarjen e ndodhur në lagjen “Kroi i Vitakut”, pak ditë më parë, kur në tentativën për të penguar punën në rinovimin e shtëpive të shqiptarëve pati përleshje mes serbëve e shqiptarëve si dhe të shtëna me armë.
Shkupi dhe Podgorica i kërkojnë Beogradit kthimin e ambasadorëve
Pas largimit të ambasadorëve, bashkësia maqedonase-serbe i ka dërguar një letër kryeministrit serb, Mirko Cvetkoviç, ku i është kërkuar kthimi i ambasadorëve të Serbisë në Shkup dhe në Podgoricë, pas tërheqjes së tyre për shkak të njohjes së Kosovës.
“Largimi i tyre nuk i ka kontribuar shtetit serb. Kjo dëshmon se ka ardhur koha që këto masa të ndërpriten dhe të intensifikohen marrëdhëniet diplomatike me Maqedoninë dhe Malin e Zi”, - thuhet në letër. Ambasadori maqedonas në Beograd, Aleksander Vasilekvski, është larguar nga Serbia më 10 tetor, pas vendimit të njohjes së Kosovës nga Maqedonia. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me ambasadorin e Malit të Zi, Anki Vojvodiç.
4 Nentor 2008