Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar i kërkon qeverisë shqiptare 50 milionë euro për arsimin në Kosovë
Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar i kërkon qeverisë shqiptare një grant të përvitshëm prej 50 milionë eurosh për Kosovën. Ky fond nevojitet për krijimin e fondit të përhershëm të Shqipërisë për arsimin e kulturën në Kosovë. Në një letër zyrtare dërguar tre institucioneve shqiptare, përkatësisht: Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Kuvendit të Shqipërisë dhe Kryeministrit të vendit, Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar argumenton arsyet pse i nevojitet kjo ndihmë për zhvillimin e arsimit shtetit të Kosovës. Gjithashtu, duke përfituar nga rasti që presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, gjendet për një vizitë dyditore në Shqipëri, drejtuesit e Komitetit propozojnë që ky projekt të shtrohet për diskutim dhe miratim në Kuvend gjatë vizitës së Sejdiut në Shqipëri. “Siç jeni në dijeni, Kosova, me fillimet e saj si shtet po kalon vështirësi të jashtëzakonshme në të gjitha drejtimet. Me rastin e vizitës së presidentit Sejdiu në Tiranë, Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar e konsideron të arsyeshme t’ju propozojë marrjen e një vendimi në Kuvendin e Shqipërisë për mbështetje konkrete ndaj Kosovës”, - shkruhet në letrën dërguar tre institucioneve të mësipërme. Në arsyetimin e Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar edhe për shumë vite qeveria e Kosovës do të ketë vështirësi të jashtëzakonshme, ndaj është obligim që Shqipëria të miratojë themelimin e një fondi të përhershëm për të lehtësuar sadopak barrën e rëndë të qeverisë Kosovare në këto vite, veçanërisht për arsimin e kulturën.
4 Nentor 2008