E Diel, 1 Nëntor 2026

Universitetet, sa do të kushtojnë studimet me kohë të pjesshme



Jonida Tashi

Studimet me kohë të pjesshme do të kushtojnë më shtrenjtë se ato të ditës. Universiteti i Tiranës do të ketë edhe tarifat më të larta për studimet me kohë të pjesshme, ose siç njihen ndryshe, part-time. Megjithëse ende nuk ka dalë një vendim që të qartësojë tarifën e studimit, ka gjasa që ajo, e vendosur një vit më parë nga qeveria “Berisha”, të mbetet në fuqi. Kështu, kandidatët që do të fitojnë të drejtën e studimit do të paguajnë një faturë financiare nga 50 deri në 150 mijë lekë në vit, kjo sipas degëve. Në tre degët e Fakultetit Histori-Filologji, ku mund të ndiqen studimet me kohë të pjesshme, tarifa e studimit do të jetë 50 mijë lekë të rinj për një vit akademik. Studimet me kohë të pjesshme në Fakultetin Filologjik do të ofrohen në degën e Gjuhë-Letërsisë, Gjeografisë dhe të Historisë. Kurse në dy degët e Fakultetit Ekonomik, përkatësisht në Administrim Biznes dhe Financë, ku pranimet e studentëve do të jenë të palimituara, një vit akademik do të kushtojë 75 mijë lekë.
Juridiku
Tarifën më të lartë për studimet me kohë të pjesshme edhe për këtë vit do ta ketë Fakulteti Juridik në Tiranë, plot 150 mijë lekë. Për të gjithë studentët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet me kohë të pjesshme pranë këtij fakulteti, këtë vit akademik ky sistem rikthehet pas 3 vitesh pezullim nga metoda e studimit të Fakultetit të Drejtësisë. Ky sistem u hoq tre vjet më parë nga Ministria e Arsimit për arsye të nivelit të dobët të studentëve që mbaronin Juridikun me kohë të pjesshme. Aktualisht, tarifat e sistemit me kohë të pjesshme janë më të ulëta në universitetet e rretheve, ku numri i kërkesave është disa herë më i vogël se Universiteti i Tiranës. Studimet me kohë të pjesshme gjatë këtij viti akademik mund të ndiqen edhe pranë Universitetit Bujqësor dhe në atë Politeknik të Tiranës, i cili i ofron këto studime sipas sistemit të “edukimit në distancë”. Një e re e këtij viti është edhe fakti se studimet e pjesshme do të ofrohen edhe në ish-Institutin e Fizkulturës. Në total, këtë vit akademik, në sistemin part-time, do të nisin studimet rreth 3 mijë kandidatë, kjo pasi një vit më parë qeveria nuk miratoi kuota për studimet e pjesshme për shkak se Ministria e Arsimit u ktheu mbrapsht universiteteve kurrikulat e studimit për këtë cikël. Pas kësaj, MASH-i u kërkoi të gjitha fakulteteve që të riformatonin programin e mësimdhënies, në mënyrë që ai të ishte i përafërt me studimet me kohë të plotë, pasi, sipas MASH-it, ata që diplomohen me kohë të pjesshme marrin vetëm 70 për qind të njohurive që jepen në ciklin e studimeve me kohë të plotë.
Kriteret
Pjesë e garës për të ndjekur studimet me kohë të pjesshme gjatë këtij viti akademik mund të bëhen edhe maturantët që kanë arritur t’i marrin në sezonin e vjeshtës provimet e detyruara të Maturës. Tashmë ata mund të jenë një nga kandidatët për të vazhduar studimet e pjesshme për shkak të ndryshimeve që kanë bërë fakultetet, duke hequr kriterin e dhënies së provimeve me zgjedhje për të gjithë ata që duan të ndjekin studimet me kohë të pjesshme. Kështu, maturantët që kanë mundur të marrin një notë kaluese në provimin e Letërsisë ose të Matematikës, i kanë të gjitha mundësitë që të aplikojnë për të vazhduar studimet me kohë të pjesshme. Drejtuesit e fakulteteve ku do të ndiqen studimet me kohë të pjesshme gjatë këtij viti akademik janë shprehur se në rast se kërkesat do të jenë më të larta se kuotat e propozuara, një ndër kriteret kryesore të përzgjedhjes do të jetë mesatarja. Por përveç këtij kriteri, ata nuk e përjashtojnë as mundësinë e përzgjedhjes me anë të provimeve në raste të caktuara. Udhëzimi për fillimin e programeve të studimeve universitare me kohë të pjesshme do të jetë gati pasi të përfundojnë rishpërndarjet e 4 mijë kuotave vakante dhe regjistrimet në programet e studimit të ciklit të dytë e Master i nivelit të parë. Aktualisht, specialistët e arsimit në MASH po njihen me kuotat e propozuara nga universitetet për përgatitjen e udhëzimit për studimet part-time. Bashkë me publikimin e udhëzimit do të përcaktohen tarifat e studimit dhe kriteret e pranimit në studimet me kohë të pjesshme.
Nisja
Sipas udhëzimit të ministrit të Arsimit, Fatos Beja, studimet me kohë të pjesshme dhe ato në distancë do të nisin në datën 10 nëntor. Po në këtë datë, sipas udhëzimit të Bejës, universitetet duhet të nisin edhe programet e studimit të ciklit të tretë, “Master i nivelit të dytë”, me kohë të plotë. Por pavarësisht përcaktimit të afateve për nisjen e studimeve, fakultetet gjenden në kaos dhe nuk janë ende gati për fillimin e tyre. Shkak për bllokimin e situatës, ashtu siç ndodhi edhe për në programet e studimit të ciklit të dytë, Diploma të Nivelit të Dytë dhe në programet e studimit “Master i nivelit të parë” me kohë të plotë janë bërë vonesat e qeverisë në marrjen e vendimeve për kuotat dhe tarifat. Ministria e Arsimit nuk ka dërguar në fakultete as numrin e kuotave të pranimit, as tarifat e shkollimit, e për më tepër as kriteret në bazë të të cilave do të pranohet kjo kategori studentësh. Më shumë problem mbeten dy të dhënat e para, pasi kriteret dihen tradicionalisht dhe më së shumti përcaktohen nga vetë fakultetet që i ofrojnë këto studime. Përballë situatës së krijuar universitetet rrezikojnë të përballen me vonesa në procesin e pranimeve për studimet e pjesshme. Drejtuesit e fakulteteve nuk dinë as kur do të nisë procesi i regjistrimit. Të gjitha këto pikëpyetje i bëjnë ata të dyshojnë se edhe për nisjen e studimeve me kohë të pjesshme nuk do respektohen afatet.

Fakulteti Histori-Filologji 450 kuota
Dega Histori 150 kuota
Dega Gjeografi 150 kuota
Dega Gjuhë-Letërsi 150 kuota
Fakulteti Ekonomik
Dega Administrim biznes pa limit
Dega Financë pa limit
Fakulteti i Shkencave të Natyrës
Dega Biologji Hyrje pa limit
Fakulteti i Drejtësisë 400 kuota
Dega Drejtësi 200 kuota

Tarifat për part-time

Universiteti i Tiranës

Fakulteti i Histori-Filologjisë
Gjuhë-Letërsi 50 mijë lekë
Histori 50 mijë lekë
Gjeografi 50 mijë lekë

Fakulteti i Ekonomisë
Administrim biznes 75 mijë lekë
Financë 75 mijë lekë
Fakulteti i Shkencave të Natyrës
Biologji 60 mijë lekë
Fakulteti i Drejtësisë
Juridik 150 mijë lekë

Universiteti Politeknik
Fizikë 40 mijë lekë
Matematikë 40 mijë lekë
Inxhinieri Tekstil Mode 35 mijë lekë
Inxhinieri Komunikacioni 30 mijë lekë
Kimi Ushqimore 25 mijë lekë
Kimi Industriale 20 mijë lekë

Universiteti Bujqësor i Kamzës
Drejtim Fermash e Agrobiznes 40 mijë lekë
Agro-mjedis dhe Ekologji 35 mijë lekë
Teknologji Agro-ushqimore 30 mijë lekë
Financë-Kontabilitet 55 mijë lekë
Veterinari 50 mijë lekë

Dokumentet
Dokumentet që duhet të dorëzojnë kandidatët për nisjen e studimeve me kohë të pjesshme pritet të jenë pesë. Me heqjen e kriterit të dhënies së provimeve me zgjedhje të Maturës dokumentet e tjera të nevojshme për aplikim janë:
Fotokopja e noterizuar e Dëftesës së Pjekurisë
Kërkesa e kandidatit për degën ku dëshiron të vazhdojë studimet
Certifikatë personale me fotografi
Dy fotografi
Mandat-arkëtimin e pagesës së kryer

Robert Skënderi emërohet kancelar në Universitetin e Tiranës

Zgjidhet përfundimisht çështja e kancelarit në Universitetin e Tiranës. Robert Skënderi është emëruar ditën e shtunë të javës së kaluar kancelar i këtij universiteti. Emërimi i kancelarit pritet të zhbllokojë situatën financiare në universitet, e cila prej tetë muajsh ka qenë e paralizuar. Tashmë drejtuesit e Universitetit të Tiranës janë duke hartuar një projekt-ide për infrastrukturën fizike dhe funksionale të këtij universiteti. Kështu, parashikohet që të ndërtohen dy godina të reja, njëra në fushën e sportit pranë Fakultetit Ekonomik, kurse tjera në hapësirën e Parkut Kombëtar përballë Fakultetit Histori-Filologji. Burime nga Drejtoria e Komunikimit pranë UT-së bëjnë të ditur se në këto godina të reja që pritet të ndërtohen synohet që të minimizohet fenomeni i mungesës së ambienteve për mësimdhënie, i cili është i pranishëm pothuajse në të tetë fakultetet e këtij universiteti. Ndryshe nga vitet e mëparshme pozitat e kancelarit universitar janë më të fuqishme. Disa nga kompetencat që Ministria e Arsimit i ka atribuuar kancelarit janë: drejton administratën e universitetit; vendos për punësimin e stafit akademik dhe atij ndihmës; i kërkon ministrit të anulojë vendimet e rektorit dhe organeve kolegjiale; administron pronën publike të universitetit.
Janë pikërisht këto kompetenca ato që e bëjnë kancelarin e universitetit të gjithëpushtetshëm pa miratimin e të cilit nuk mund të realizohen çështjen e aspektit financiar.

4 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›