E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjekët specialistë sëmurin pacientët në spitale



Emanuela Sako

Pacientët që shtrohen në spitale marrin një infeksion të dytë përveç sëmundjes apo infeksionit që kanë. Ky fakt pranohet nga vetë specialistët që punojnë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” të cilët shprehen se situata është e vështirë duke renditur dhe shkaqet. Ata e justifikojnë situatën me mungesën e mjaft materialeve të konsumit të përditshëm për ruajtjen e higjienës, por nuk lënë mënjanë dhe pakujdesinë e mjekëve. Kështu, rreth 75 për qind e infeksioneve pacientët i marrin gjatë shtrimit në spital apo gjatë kryerjes së operacioneve. Më të prekurit nga viruset janë pacientët që operohen, pasi plaga e hapur është më e predispozuar për t’u prekur nga viruset. Për shmangien e viruseve, në Spitalin Infektiv janë afishuar rregullat që duhet të ndiqen nga të gjithë mjekët dhe infermieret.
Përhapja
Rreth 75 për qind e pacientëve preken nga viruse të ndryshme gjatë shtrimit në spital apo gjatë ndërhyrjes kirurgjikale. Shkak për këtë është bërë mungesa e detergjenteve dezinfektues për sallat e operacionit apo dhomave të shtrimit të pacientëve. Pas përfundimit të një operacioni, dhoma duhet të dezinfektohet në mënyrë të plotë dhe të gjitha materialet e përdorura duhet të ndërrohen, në mënyrë që salla të jetë e përgatitur për raste të tjera. Njëkohësisht në këto salla kryhen më shumë se 8 operacione në ditë, madje edhe tejkalohen. Kjo gjë e bën të pamundur dezinfektimin e plotë. Por nuk përjashtohen rastet e higjienës së vetë mjekëve, të cilët duhet të jenë të pajisur me dorashka gjatë prekjes së plagës së pacientit apo për çdo rast ndërhyrjeje.
Materialet
Mungesa e materialeve të konsumit bën që situata të përkeqësohet dhe pacientët të marrin viruse, të cilat mund të jenë tepër të rrezikshme për jetën. I tillë ishte rasti i përhapjes së virusit të Stafilokokut, pak muaj më parë, në Pavijonin e Kardiokirurgjisë ku rezultuan të prekur nga ky virus me shumë se 5 persona. Kështu, mungojnë detergjentet e fortë për dezinfektimin e herëpashershëm të dhomave të shtrimit, korridoreve, materialeve kirurgjikale, mungojnë
dorashkat e mjekëve etj. Rregullorja e afishuar në Spitalin Infektiv, e cila shërben për të gjithë mjekët, përmban: larjen e duarve nga personeli mjekësor, përdorimin e dorashkave plastike në çdo ndërhyrje, përdorimin e bezeve në hundë për mosmarrjen e sëmundjeve ngjitëse (në rastet e Spitalit Infektiv), kryerjen e dezinfektimit të ambienteve etj.

Anastas Duro premton bashkëpunim për të drejtën sindikale

Ministri i Punës, Anastas Duro, premton se interesimi i tij në postin e ministrit të Punës për të realizuar të drejtën sindikale në Shqipëri do të jetë maksimal. Në një takim me kryetarin e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikolla, Duro u shpreh i hapur për të bashkëpunuar dhe për të dialoguar me partnerët për zgjidhjen e problemeve që shqetësojnë sot punonjësit dhe përfaqësuesit e tyre. Sipas Duros, Ministria e Punës, si institucioni kryesor që përfaqëson qeverinë në bashkëpunimin me partnerët, i njeh dhe do të bëjë përpjekjet maksimale për t’i zbatuar të gjitha detyrimet që i ngarkon ligji, veçanërisht Kodi i Punës, në zhvillimin e këtyre marrëdhënieve. Ndërsa kryesindikalisti Nikolla vlerësoi bashkëpunimin me Ministrinë e Punës dhe strukturat e saj në vazhdimësi, duke u shprehur i sigurt se edhe në të ardhmen ky bashkëpunim do të njohë nivele të reja. Pasi bëri një prezantim të aktivitetit të Konferderatës së Sindikatave të Shqipërisë, organizimit dhe funksionimit të saj, Nikolla e informoi Ministrin se tashmë Konfederata ka hyrë në një proces reformimi strukturor, i cili synon të pasqyrojë ndryshimet social-ekonomike të ndodhura në këto vite në vend dhe, veçanërisht, në marrëdhëniet e punës.

4 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›