E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amerika zbulon Salihin

Kryeqyteti amerikan ka një arsye futbolli për të qenë i gëzuar, pavarësisht sesi mund të jetë gjendja ekonomike apo politike në Shtetet e Bashkuara. Hamdi Salihi ka shënuar golin e tij të dytë në Amerikë, duke ndihmuar skuadrën e tij, DC Junajtid që të mundte 3-1 Çarletonin dhe të fitonte “Coffee Pot Cup”.
Tifozët nuk ishin të shumtë, më pak se 3 000 dhe shumica për skuadrën vendase, Çarleston, por kjo nuk pengoi Uashingtonin dhe as Salihin. Shqiptari shënoi golin e tretë, dy minuta para fundit, ndërsa kishte hyrë në fushë vetëm në minutën e 71-të.
Ky është goli i dytë për shkodranin, pasi ai debutoi duke tundur rrjetën në fitoren 1-0 ndaj Çikago Fajërit në gjysmëfinalet e kësaj kupe.
Gjithsesi, Amerika ende nuk e ka njohur Hamdi Salihin e vërtetë, jo vetëm një makineri golash, por edhe një Rafaelo që di të pikturojë mrekulli futbolli. Në arsenalin e tij prej artisti, sulmuesi kuqezi ka edhe një gol të shkëlqyer me roveshatë ndaj Tiranës më 29 nëntor të vitit 2003, kur luante ende në radhët e Vllaznisë, por edhe golin e mrekullueshëm të shënuar po në Shkodrën e tij, në fitoren 3-2 ndaj Malit të Zi, gushtin e vitit të kaluar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›