E Diel, 1 Nëntor 2026

De Biazi: Shqipëria ime, ajo e pjesës së parë!

Sipas trajnerit tonë të kombëtares, Xhani De Biazi, Shqipëria luajti më mirë, por në humbje ndikoi gjykimi, ndërsa vlerëson paraqitjen e debutuesve

Trajneri Xhani De Biazi e nis me humbje aventurën në krye të Shqipërisë, megjithatë duhet thënë se kombëtarja jonë, edhe pse me shumë gjak të ri brenda vetes, ka bërë një paraqitje shumë të mirë, sidomos në pjesën e parë, kur e ka nisur ndeshjen si superiore, ka shënuar shumë shpejt falë një goli të debutuesit Çani dhe i ka mbyllur 45 e para me fitore.

Madje, duhet vlerësuar edhe paraqitja e portierit Samir Ujkani, i cili priti një penallti dhe e dërgoi skuadrën e tij me fitore në dhomat e zhveshjes. Pjesa e dytë tregoi një Shqipëri, tjetër, ndoshta nga mungesa e eksperiencës hera-herës iu nënshtrua edhe kundërshtarit, megjithatë u mundëm falë një goli të dyshimtë, që erdhi si rrjedhojë e një penalltie të kontestuar.

Pas ndeshjes, trajneri i përfaqësues, Xhani De Biazi, ndihet i kënaqur deri diku me paraqitjen e skuadrës së tij, që dje meritonte më shumë, siç e thotë edhe vetë italiani i pankinës kuqezi. Nga kjo ndeshje të mbetet shija e keqe e rezultatit, por dua të them se këtu pati ndikimin e tij edhe arbitri, vendimet e të cilit ishin të dyshimta. Madje, edhe falë tij, ne e humbëm këtë ndeshje.

Në pjesën e parë lojtarët i zbatuan me përpikëri detyrat që u kisha ngarkuar, funksionuam mjaft mirë të organizuar si skuadër, madje pashë disa sulme të shpejta dhe kjo më pëlqeu. Unë mbetem i kënaqur nga paraqitja e skuadrës sime ndaj Gjeorgjisë, pasi treguam karakter dhe një lojë të mire, ndërsa në pjesën e dytë vuajtëm disi, sidomos në 20 minutat e para, – tha fillimisht trajneri De Biazi.

Këshilla

Duket se italiani De Biazi po ambientohet gjithnjë e më shumë me klimën kuqezi, madje tashmë ua ka mësuar edhe konceptin e lojës së skuadrës dhe lojtarëve të tij. Duke qenë se ishte miqësore, më shumë rëndësi për italianin kishte rëndësi mënyra e lojës sesa rezultati, ndaj edhe jep këshillat për kuqezinjtë.

Për mua ka pak rëndësi rezultati në këtë ndeshje, por ajo çka dua të evidentoj për mirë është karakteri që treguam në pjesën e parë, ndërsa si defekt, që duhet rregulluar në të ardhmen, është menaxhimi i rezultatit, sidomos kur jemi në epërsi. Duhet që ta kontrollojmë më shumë dhe më mirë lojën kur rezultati është në favorin tonë.

I kënaqur me Çanin

Në fund të fjalës së tij, trajneri Xhani De Biazi, foli për lojën e të rinjve dhe vlerësoi sidomos golin e shënuar nga sulmuesi shtatlartë, Edgar Çani. Edgar Çani bëri një ndeshje shumë të mirë, edhe pse në debutim. Ai e nisi me një gol shumë të bukur përfaqësimin me Shqipërinë, madje shënoi shumë shpejt, duke na ndihmuar të rriteshim psikologjikisht.

Edhe debutuesit e tjerë, për aq minuta sa patën në dispozicion, u munduan ta justifikojnë veten. Rëndësi ka fakti që tashmë e njoh edhe më shumë skuadrën, kam pikasur problemet, me të cilat do të merremi hap pas hapi, që ti minimizojmë sa më shumë të jetë e mundur, – e mbylli prononcimin e tij mesnjëherë pas humbjes në miqësoren me Gjeorgjinë, trajneri i përfaqësueses sonë, Xhani De Biazi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›