E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amerikanët, 25 milionë euro për INSIG-un

“American Reserve Life Insurance” ofron çmimin më të lartë për blerjen e 61% të aksioneve shtetërore tek INSIG-u.

Negociatat e shitjes mes palëve janë drejt finalizimit. INSIG-u po humbte terren në treg prej vitesh

TIRANË- Kompania amerikane “American Reserve Life Insurance”, ka ofruar 25 milionë euro për 61 për qind të aksioneve të kompanisë shqiptare të sigurimeve, INSIG, duke qenë vetëm një hap larg zotërimit të saj. Ndër 10 kompanitë, të cilat morën pjesën në garën për blerjen e INSIG-ut, Komiteti për Privatizimin e tij vlerësoi si më të volitshme ofertën e kompanisë amerikane. Në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Financave, thuhet se çmimi i dhënë nga blerësi i ri është 2 milionë euro mbi çmimin maksimal që e kishte vlerësuar kompania KPMG, e cila ishte përzgjedhur për të vlerësuar çmimin e shitjes së INSIG-ut. Po ashtu, bëhet me dije se ky çmim i ofruar nga amerikanët, është 3.5 milionë euro më i lartë se ai që qeveria kishte përcaktuar për këtë sektor. “Përfundimi i procesit të “INSIG”-ut është në negociatat e fundit teknike me kompaninë fituese “American Reserve Life Insurance”. Ky privatizim konsiderohet shumë i suksesshëm për qeverinë. Ai përbën një konfirmim të ri të besimit për ekonominë shqiptare, në kushtet kur në tregun financiar ndërkombëtar ekziston një krizë ekonomike”,- deklarohet në njoftimin e saj zyrtar. Pjesa e mbetur prej 39 për qind të aksioneve zotërohet nga institucionet financiare IFC dhe BERZH, respektivisht me nga 19.5 për qind të aksioneve. Këto dy institucione kanë blerë disa vite më parë për 9.4 milionë euro aksionet në INSIG, dhe kanë dhënë asistencën e tyre në procesin e privatizimit të kompanisë shtetërore të sigurimeve.

Tregu

INSIG-u ka hyrë në tregun shqiptar të sigurimeve në vitin 1991, duke qenë edhe në pozitën monopol, deri në vitin 1999, kur qeveria e hapi tregun edhe për operatorët privatë. Që në fillim të viteve 2000, kompania shtetërore ka humbur treg në mënyrë të vazhdueshme. Prej shumë vitesh ajo operon në tregun maqedonas dhe në atë të Kosovës. Gjatë vitit 2007, në tregun e primeve bruto prej rreth 60 milionë dollarësh, INSIG-u u rendit i treti, me 16 për qind të tij. Gjatë vitit të kaluar, kompania realizoi rreth 2.1 miliardë lekë të ardhura, ose rreth 17 milionë euro dhe fitimet neto arritën në 225 milionë lekë, ose 1.8 milionë euro. Shitja e të vetmes kompani sigurimesh me kapital shtetëror, mund të numërohet ndër të fundit e privatizimeve të kompanive strategjike në vend. Para INSIG-ut, qeveria privatizoi edhe kompanitë e tjera si, ARMO sh.a, aksionet që zotëronte tek AMC-ja, Albtelecom-i, dhe OSSH-ja.

Kompania ARL

“American Reserve Life Insurance Company”, (ARL) zotëron 100 për qind të of Liberty Bankers Life Insurance Company. ARL-ja zotërohet plotësisht nga Heritage Guaranty Holdings, Inc. dhe siguron risigurime dhe mbështetje financiare për filialet e saj të sigurimit të jetës. Ajo u themelua më 1922-shin dhe u ble më 1999-n nga “American Reserve Group”.

61 për qind të aksioneve të zotëruara nga shteti shqiptar në INSIG janë nxjerrë për privatizim.

25 milionë euro është oferta e kompanisë amerikane ARL për aksionet që zotëron shteti shqiptar në INSIG

3.5 milionë euro më shumë ka ofruar ARL-ja për blerjen e aksioneve që zotërohen nga shteti shqiptar tek INSIG-u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›