Mallrat e konsumit, çmimet më të larta se një vit më parë
Çmimet e mallrave të konsumit kanë qëndruar pothuajse në të njëjtat nivele me një muaj më parë. Statistikat zyrtare të INSTAT-it tregojnë se, gjatë muajit nëntor, çmimet në tërësi janë ulur me vetëm 0.1 për qind, krahasuar me tetorin, praktikisht në të njëjtat nivele. Ardhja e stinës së ftohtë ka ndikuar në rritjen e çmimeve të zarzavateve, të cilat si grup janë rritur me 3.3 për qind më shumë se gjatë muajit tetor. Kryesisht, dy muajt e kaluar, nuk kanë ndryshime të mëdha në çmimet e produkteve dhe shërbimeve, përjashto këtu shpenzimet e transportit, të cilat janë ulur me 2.5 për qind, si shkak u uljes së çmimit të naftës me 9 për qind, dhe ai i benzinës me 9.5 për qind.
Tendenca
Krahasuar me një vit më parë, çmimet e mallrave të konsumit për muajin nëntor kanë shënuar një rritje prej 2.6 për qind. Rritjen më të madhe e kanë pësuar çmimet e ushqimeve dhe pijeve jo-alkoolike me 4%, ndërsa çmimi i qirave, lëndëve djegëse dhe energjisë, është rritur me 4.6 për qind më shumë se një vit më parë. Çmimet e transportit, krahasuar me vitin e shkuar, janë rritur në masën 5.3 për qind, rritje e cila i dedikohet kryesisht rritjes së hidrokarbureve. Të dhënat e INSTAT-i për çmimet e konsumit gjatë këtij viti tregojnë për një rritje të lehtë të çmimeve gjatë 2008-s, me diferenca shumë të vogla nga muaji në muaj, por rritja mbetet e konsiderueshme po të krahasohet me çmimet e vitit të shkuar.
---------------------------------------------------Rregulla të reja për ekspertët kontabël
Procesi i auditimit dhe kontabilitetit do të rregullohet me një ligj të ri. Ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë prezantimit të projektligjit të ri tha se rregullimet e këtij ligji bëhen akoma më të domosdoshme, si për kushtet aktuale të ekonomisë botërore, ashtu edhe për shkak të një boshllëku ligjor, në të cilin gjendemi, pas miratimit të ligjit të ri “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare. “Janë vënë kufizime në moshë për hyrjen dhe daljen nga profesioni i audituesit, duke synuar që, në këtë profesion të përzgjidhen persona me moshë vitale dhe të pjekur. Është parashikuar organizimi në një organizatë të vetme për profesionin e ekspertit kontabël dhe në disa organizata për kontabilistët e miratuar”,- tha Bode në prezantimin e projektligjit të ri. Sipas tij, në ligjin e ri janë parashikuar rastet e konfliktit të interesit në ushtrimin e profesionit të audituesit, me qëllim ruajtjen e pavarësisë dhe paanësisë së audituesit. Ministri i Financave deklaroi se ligji i ri i auditit dhe kontabilitetit bëhet i domosdoshëm në kuadër të përfarimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian.