E Diel, 1 Nëntor 2026

Pacolli: Katari dhe Ishujt Maldive do ta njohin Kosovën

Kryetari i AKR-së Behxhet Pacolli ka deklaruar se ka arritur sukses në lobimin e tij për njohjen e Kosovës nga Katari dhe Ishujt Maldive.

Ai theksoi se gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka marrë premtime dhe miratime të fuqishme nga zyrtarë të lartë të shtetit të Ishujve Maldive dhe të Katarit për njohjen e shpejtë të Kosovës, brenda ditëve të ardhshme.

"Kosova shpejt do njihet nga Katari dhe Maldivet si dhe nga tre shtete tjera, pra gjithsej pesë, premtime kam marrur, dy janë të sigurta, ose më mirë t'ju them, se Katar dhe Maldevia më kanë pemtuar dhe është çështje ditësh. Tani pres vetëm zyrtarisht të bëhet nga këto dy shtete. Kosova e meriton sa më shumë njohje të reja dhe kjo do të vije", deklaroi kryetari i AKR-së dhe biznesmeni i njohur kosovar, Pacolli, i cili në misionin e tij diplomatik tha se po arrin suksese të vazhdueshme për njohjen e Kosovës.

Ai nënvizoi se gjatë qëndrimit në SHBA ka pasur takime produktive për të ardhmen e Kosovës. “Unë kam arritur që të realizojë disa takime të rëndësishme për Kosovën, për zhvillimin e saj dhe të ardhmen më të ndritur. Misioni im do të vazhdojë në çdo pikëpamje për Kosovën”, deklaroi ai. Katari është një nga shtetet e zhvilluara arabe në Azi, ndërsa shteti i Maldiveve ndodhet në jug të Indisë dhe përbëhet nga më shumë se 1 000 ishuj të vegjël. Deri më tani Republikën e Kosovës e kanë njohur gjithsejt 53 shtete.(INA)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›