Korrupsion dhe fate femërore
“Muaj mjalti” i regjisori Goran Paskaljevic do të mbetet në historinë e kinemasë së dy vendeve si i pari bashkëprodhim filmik i Shqipërisë me Serbinë. Shpresojmë jo dhe i fundit. Paskaljevic do të mbahet mend si i pari regjisor i huaj që punoi në Shqipëri, të paktën që kur rusi Sergei Jutkevic bëri “Skënderbeun” më 1953. Pritet që një pasardhës i këtij të fundit, një tjetër regjisor rus, Dimitri Meskheyev, të drejtojë së shpejti “Sorkadhet e trembura”, me skenar të Ismail Kadaresë.
Kështu pra, po ngrihet një praktikë në prodhimin kinematografik shqiptar ku autori kryesor i një filmi, regjisori, është i huaj.
Së fundi, në Qendrën Kombëtare Kinematografike është paraqitur për prodhim projekti “Made in Albania” me regjisor Steven R. Monroe, me skenar të Daniel Yost Tara Walker dhe Aldo Shllaku dhe një tjetër për zhvillim, i quajtur “Premtimi i mbajtur” (“Fulfilled promise”). Është kompozitori Aldo Shllaku që jeton dhe krijon në Los Anxhelos ai që po i paraqet në QKK të dy projektet me kompaninë e tij “Aeternum Artworks”.
“Made in Albania” është historia e 4 femrave shqiptare që u përkasin të gjitha shtresave shoqërore: një politikane me të bijën adoleshente, një pastruese dhe një gazetare e huaj. Katër fate të pavarur që bashkohen dikur. Ngjarjet zhvillohen në Tiranë, flitet shqip, aktorët do të jenë po shqiptarë.
Aldo është larguar nga Shqipëria prej vitit 1991, por “që të kuptosh korrupsionin e këtushëm, nuk është e nevojshme të jetosh patjetër në Shqipëri”. Ai mendon që vendosja e ngjarjeve në këtë vend ka për ta bërë më të fortë dhe më realiste dramën e katër femrave.
Absurditeti si realitet i përditshëm, humbja e kontakteve mes politikës dhe qytetarëve, tranzicioni i gjatë, korrupsioni që pavarësisht se nuk ka efekt të drejtpërdrejtë në jetën e njerëzve të një vendi të vogël si i yni, do të reflektohen tek “Made in Albania” në dramën e personazheve femërorë.
Duket e rastit që edhe projekti “Premtimi i mbajtur” të ketë për protagoniste femrën. Një ruse, kësaj here, që u martua dhe u izolua në Shqipëri pas prishjes së marrëdhënieve me ish- Bashkimin Sovjetik. Kompozitori shqiptar tregon për këtë projekt që është në fazën e ngjizjes nga i njëjti grup pune, ka marrë shkas nga historia e dhimbshme e Nadjezhda Kabashit, gruaja e dajës së t’et, Francesk Kabashit, e cila pas vuajtjeve dhe burgut në Shqipëri u kthye përfundimisht në Rusi. “Këto gra kanë treguar një devocion ndaj një vendi tjetër, ndërsa ne kemi për detyrë t’iu kërkojmë falje. Akoma nuk kemi rënë në qetësi. Jemi në anarki mendore. Tranzicioni s’po na lë të mendojmë se çfarë ndodhi me ne. S’po i japim kohë vetes”. 36-vjeçari është optimist se ky është momenti kur Shqipëria duhet të korrigjojë disa gabime. “Jemi një komb i fateve të humbura, sepse i krijojmë vetes më shumë probleme nga ç’kemi”,- shton ai. Por ky komb që për pozitën udhëkryqe gjeografike që i ka rënë për short ka qenë gjithnjë nën trysni, asnjëherë si sot nuk është ndodhur në kushte kaq të favorshme dhe që i mbetet të punojë për t’i kthyer rrymat pro vetes.
“Made in Albania” i regjisorit amerikan Steven R. Monroe, i njohur sidomos për realizimet thriller dhe horro, pritet të shqyrtohet me projektet e tjera për film artistik me metrazh të gjatë, në Këshillin Miratues të Projekteve. Në fund të janarit 2009 do të ketë një përgjigje se çdo të bëhet këtë projekt që synon të sjellë energji dhe një përvojë tjetër në kinemanë shqiptare. Në rast se projekti kalon, ai hyn për realizim, në xhirim vjeshtën e ardhshme. Shllaku thotë se në stafin e punës është konfimuar pjesëmarrja e montazhieres së Oliver Stone, Julie Monroe, një artiste që ai e veçon ndër të tjerët.
Nëse flitet për kthimin e trurit në Shqipëri, politika që mund ta përmbushë këtë mision nuk kërkon veç vullnetin e institucioneve shqiptare. Në këtë rast, vullneti i institucioneve të kulturës si Qendra Kombëtare Kinematografike sepse, siç e thotë edhe ky i ri që “kthehet”në atdhe “është një status quo artistike që duhet të hapet. Ky vend ka nevojë për një modalitet tjetër dhe që institucionet shqiptare të jenë të hapura për këtë punë”.