E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amerikanët: Muriqi-Tarver, dueli më i mirë i vitit 2007

Elvir Muriqi konfirmohet si një prej boksierëve më të fortë shqiptarë në arenën ndërkombëtare. Edhe pse ka anuluar duelin e 9 majit me amerikanin Omar Sheika, "Kosovo Kid" vazhdon të jetë në vëmendjen e mediave përtej Atlantikut. Por, këtë herë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk vijnë më akuzat e Sheikas se tërheqja e Muriqit nga sfida në Atlantik Siti ka ndodhur pasi shqiptari pretendonte më shumë përfitime. Tashmë për Muriqin flitet me nota pozitive dhe kjo për shkak të duelit të zhvilluar më 9 qershor 2007 me legjendën e boksit, Antinio Tarver. Revista që flet ekskluzivisht për boksin, "The Ring Magazine", e ka cilësuar sfidën ndërmjet Muriqit dhe Tarver si duelin më të mirë të vitit 2007 për kategorinë gjysmë të rëndë. Gjatë 12 raundeve të asaj përballjeje ishte parë vetëm aksion dhe boksieri shqiptar ka qenë mjaft aktiv. Gjithsesi, në fund Muriqi është larguar i zhgënjyer nga ringu, pas vendimit të gjyqtarëve për fitoren me pikë të Tarver. Përpara se të largohej nga arena, "Kosovo Kid" ka deklaruar se ai ishte fituesi i vërtetë i sfidës dhe kërkoi menjëherë revansh.

Revista "The Ring Magazine" botohet prej vitit 1922 dhe është buletini më prestigjioz botëror për ringun profesionist, aq sa njihet edhe me nofkën "Bibla e boksit". Në ringun profesionist ekzistojnë katër federata të mëdha, por boksieri që merr epitetin e kampionit nga kjo revistë në Amerikë konsiderohet si kampion i padiskutueshëm botëror (Undisputed Champion). Kjo nuk është hera e parë që paraqitjet e Elvir Muriqit bëjnë jehonë. Edhe në vitin 2002, mediat amerikane e kishin cilësuar përballjen e 29-vjeçarit me amerikanin Sem Ahmad si ndeshjen më të bukur të vitit. Vlerësimi ka ardhur nga televizioni prestigjioz amerikan ESPN, sepse pasi kishte pësuar katër "knock-down", Muriqi ngrihet në këmbë dhe në raundin e tretë fiton me "knock-out" (K.O.).

Ndërkohë, mbrëmja e së shtunës ka regjistruar edhe dy suksese të tjera të shqiptarëve në ringun profesionist. Bëhet fjalë për vëllezërit Nuri dhe Sefer Seferi. Nuriu 31-vjeçar ka regjistruar fitoren e dytë radhazi ndaj kroatit Josip Jalushiç, në sfidën për të mbrojtur titullin e kampionit në versionin GBU për peshën kruizer. Lajmi është bërë i ditur nga "boxalb", sipas të cilës shqiptari është shpallur fitues me vendim unanim të gjyqtarëve (me rezultatin 117-112, 115-113 dhe 116-112) pas 12 rundave të zhvilluara në palestrën e sporteve në qytetin zviceran Kirshberg. Për "Albanian Tajson" kjo është fitorja e pestë radhazi pas humbjes nga ish-kampioni i botës, gjermani Marko Huk. Po në këtë mbrëmje, Sefer Seferi ka arritur fitoren e tij të tretë në ringun profesionist. Ai ka mposhtur gjermanin Xhonatan Pasi me nokaut në rundin e 5-të. Ky ishte nokauti i parë që Pasi pëson në 7 ndeshjet e zhvilluara deri më tani në ringun profesionist.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›